Presidenti Begaj takim me kryebashkiakun e Cërrikut, e përgëzon për projektet në ndihmë të fermerëve

schedule14:38 - 7 Nëntor, 2024

schedule 14:38 - 7 Nëntor, 2024

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zhvilloi këtë të enjte një vizitë në Bashkinë Cërrik. Kreu i Shtetit zhvilloi takime me drejtuesit lokalë dhe komunitetin e kësaj zone, zhvillimi ekonomik i së cilës bazohet në sektorin e bujqësisë.

Duke iu referuar sipërmarrjeve private dhe përpjekjeve për zhvillimin bujqësor, Presidenti i Republikës theksoi se njerëzit që e duan tokën dhe punojnë fort, kanë mundësinë që investimet e tyre t’i realizojnë në Shqipëri, duke përcjellë për Evropën dhe botën emrin e mirë të prodhimeve shqiptare.

Presidenti Begaj përgëzoi kryebashkiakun Andis Salla për projektet në ndihmë të fermerëve të ndërmarra në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë, kryesisht ata gjermanë.

Një nga këto nisma është hapja e pikës frigoriferike të grumbullimit të prodhimeve të fshatrave, e cila, sipas Kreut të Shtetit, përbën qasjen e duhur për investimet e fermerëve.

“Shpresoj, – u shpreh Presidenti Begaj – që kjo vizitë të nxisë avancimin e nismave që sjellin zhvillim dhe përmirësim të jetës së banorëve”, ndërsa theksoi rëndësinë e cilësisë dhe sigurisë së produkteve vendase në ndikimin e rritjes së turizmit.

Në lidhje me këtë prioritet zhvillimor, Presidenti Begaj këshilloi nxënësit e shkollës profesionale “Mihal Shahini”, të cilët kanë zgjedhur të studiojnë bujqësinë, veterinarinë dhe teknologjinë ushqimore, të punojnë me pasion, si agronomët e dikurshëm, për t’iu shërbyer fermerëve me farërat autoktone shqiptare. Kreu i Shtetit vlerësoi kontributin e kësaj shkolle unike në mbledhjen, ruajtjen dhe promovimin e farërave autoktone, duke pasuruar Bankën Gjenetike të Shqipërisë. “Bujqësia është një nga sektorët më të rëndësishëm pas turizmit dhe kërkon vëmendje të merituar”, – u shpreh Presidenti Begaj, i cili, gjatë kësaj vizite, ishte dhe në kantinën e verës “Sulova”, ku çmoi ruajtjen e cilësisë për të patur sukses në tregjet vendase dhe ndërkombëtare.

Përveç zhvillimit të sektorit të bujqësisë, Bashkia e Cërrikut njihet edhe për talentet sportive. Presidenti i Republikës zhvilloi një takim me kampionët ndërkombëtarë të shtangës, Briken Calja, të riun Ertian Kofsha dhe trajnerin Leonard Toska, të cilët numërojnë qindra medalje kombëtare dhe dhjetëra ndërkombëtare. “Është e jashtëzakonshme që ky vend i vogël të nxjerrë kampionë të mëdhenj”, – u shpreh Presidenti i Republikës gjatë bashkëbisedimit me sportistët e fshatit Shtërmen./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!