Presidenti Begaj takim me ambasadoren e Kolumbisë, u diskutua për forcimin e dialogut politik dhe bashkëpunim ekonomik

schedule14:04 - 26 Korrik, 2024

schedule 14:04 - 26 Korrik, 2024

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, pranoi sot Letrat Kredenciale të Ambasadores së Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë të Republikës së Kolumbisë, jo rezidente në Shqipëri, Ligia Margarita Quessep Bitar.

Në takim u theksua nevoja për avancimin e marrëdhënieve mes dy vendeve nëpërmjet forcimit të dialogut politik, bashkëpunimit në sektorin ekonomik dhe në të gjitha fushat me interes të përbashkët.

Për sa i përket bashkëpunimit mes dy vendeve si pjesëmarrëse në organizmat ndërkombëtare, Presidenti i Republikës theksoi qëndrimin e tij se Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë Kolumbinë në vijimësi të rezultateve të arritura në marrëdhëniet midis palëve përmes përkrahjes së ndërsjellë.

Presidenti Begaj garantoi se Shqipëria do të vazhdojë të bashkëpunojë me Kolumbinë në lidhje me deklaratat e përbashkëta rajonale në kuadër të Këshillit të të Drejtave të Njeriut dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, si dhe në fushën e promovimit dhe mbrojtjes së të drejtave të grave dhe fëmijëve.

Në lidhje me Kosovën, Presidenti i Republikës shprehu bindjen se Kolumbia do të ruajë të njëjtën linjë mbështetëse në aplikimin për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, S. Bajram Begaj, i uroi Ambasadores Ligia Margarita Quessep Bitar suksese në ushtrimin e detyrës së re, duke siguruar mbështetje përgjatë mandatit të saj.

/abcnews.al