Presidenti Begaj pjesëmarrës në Samitin e Brdo-Brijunit: BE, proaktive në adresimin e sfidave të Ballkanit Perëndimor

schedule15:33 - 8 Tetor, 2024

schedule 15:33 - 8 Tetor, 2024

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë në Samitin e Procesit të Brdo-Brijunit, që këtë vit u mbajt në qytetin malazez të Tivatit.

Në fokus të këtij samiti ishte forcimi i stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal, përshpejtimi i procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian të vendeve të Evropës Juglindore, mbajtja e të rinjve përmes mundësive më të mira, si edhe përshtatja me qëllimet e Planit të Gjelbër Evropian.

Kreu i Shtetit konfirmoi qëndrimin se Shqipëria mbetet e palëkundur në angazhimin e saj për stabilitetin rajonal dhe zhvillimin e qëndrueshëm dhe se perspektiva e integrimit evropian mbetet në thelb të përpjekjeve tona.

“Bashkimi Evropian duhet të jetë proaktiv në adresimin e nevojave dhe sfidave specifike të Ballkanit Perëndimor”, vlerësoi Presidenti i Republikës në Samitin e Procesit të Brdo-Brijunit, duke thekuar se kjo përfshin përshpejtimin e projekteve infrastrukturore që lidhin rajonin më ngushtë me pjesën tjetër të Evropës, përmirësimin e marrëdhënieve tregtare dhe integrimin e ekonomive rajonale në tregun më të gjerë të BE-së.

Ndërsa theksoi rëndësinë e konferencës së dytë ndërqeveritare Shqipëri-BE, që do të mbahet më 15 tetor për kapitullin e parë të negociatave të anëtarësimit, Presidenti Begaj e vlerësoi atë si një sinjal inkurajues edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Gjithashtu, Presidenti i Republikës u shpreh se e ardhmja e rajonit tonë është e lidhur ngushtë me të ardhmen e brezave të rinj dhe se sfidat e kohës kërkojnë përpjekje të përbashkëta për të trajtuar në mënyrë efektive çështjen “Brain Drain”.

Edhe për çështje të tjera që ishin në fokus të Samitit të Procesit Brdo-Brijunit, Presidenti i Shqipërisë konfirmoi angazhimin e vendit për agjendën e ndërlidhjes si një nga prioritetet më të larta, si edhe inkurajimin e ekonomive “të gjelbra”.

Krerët e shteteve pjesëmarrëse në këtë samit arritën në një konkluzion të përbashkët për forcimin e bashkëpunimit dhe ecurinë e proceseve integruese të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian si rruga më premtuese dhe e pazëvendësueshme drejt një Evrope të plotë, të lirë dhe në paqe. Gjithashtu, u theksua rëndësia e veprimeve të guximshme për të siguruar stabilitetin afatgjatë dhe krijimi i kushteve për të rinjtë, që ata të mund të qëndrojnë në vendet e tyre./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!