Presidenti Bajram Begaj ndodhet këtë të mërkurë në Prishtinë, ku është pritur nga Presidentja Vjosa Osmani.
Të dy ritheksuan bashkëpunim e pandalshëm Shqipëri-Kosovë, ndërsa Begaj shtoi faktin se ecuria e shpejtë e integrimit të vendit në be, rrit rolin në arenën ndërkombëtare dhe ndihmon drejtpërdrejt edhe Kosovën në procesin e njohjeve dhe afirmimin e saj ndërkombëtar.
Më pas Begaj iu bashkua kremtimit të 50-vjetorit të themelimit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. “Sot kremtojmë rrugëtimin gjysmëshekullor të dijes, sakrificës dhe përkushtimit intelektual, qytetar dhe kombëtar”, deklaroi Begaj. Theksin e vendosi sërish tek bashkëpunimi mes dy akademive tona.
“Pas shumë dekadave përpjekjesh, sakrificash, dhe falë ndihmës së çmuar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës e partnerëve evropianë, shqiptarët sot jetojnë një moment të paprecedent: kemi dy shtete shqiptare dhe dy akademi shkencore që i shërbejnë një kombi”, tha Begaj.
Sipas tij, kjo “Është hera e parë në historinë tonë që dija shqiptare mund të zhvillohet pa pengesa, në liri dhe në bashkëpunim”.
Presidenti Begaj zhvilloi gjithashtu takime me Kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama.

