Parlamenti ezauroi dhe raundin e tretë për Presidentin, pa kandidat, duke bërë kështu që të jetë PS-ja ajo e cila do të propozojë dhe miratojë emrin që do të pësojë Ilir Metën në Presidencë.
Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, në një lidhje live me emisionin Opinion në Tv Klan, ka thënë se procesi i negociatave me opozitën dështoi për shkak se pakica nuk dorëzoi zyrtarisht një emër apo një listë emrash.
“Ne kemi negociuar me të gjithë opozitën e përfaqësuar në Kuvendin e Shqipërisë, me të treja grupet parlamentare të opozitës. Kemi pasur një moment kur kemi pasur një dakordësi që në të dytin dhe të tretin opozita fitoi të drejtën ekskluzive për të propozuar emrin. Në rast se opozita do të kishte ushtruar përgjegjësinë për të sjellë me 20 firma mbështetëse një kandidat të tyre, ne do ta merrnim në konsideratë dhe atë që do bëjmë nesër në Kryesinë e PS do ta bënim në rastin e kandidaturës së ardhur prej tyre.
Debati ka qenë që opozita të ketë të drejtën e propozimit. Kjo nuk është negociatë. Negociatë quhet kur palët kanë të drejtë të negociojnë. Mund të propozonin një emër me 20 firma. Mua si kryetar i grupit të PS apo në Kuvendin e Shqipërisë unë nuk di që të jetë depozituar zyrtarisht një listë me emra”.
Ndërsa nesër pritet të mblidhet kryesia e PS, Balla theksoi se brenda kampit rozë janë bërë mbledhje për emrin e Presidentit të ri. Sipas tij, PS ka tashmë një listë emrash që të premten do të votohet një prej tyre dhe të shtunën do të votohet edhe në mbledhjen e grupit të PS, kur dhe kjo kandidaturë do të bëhet publike.
“Ne kemi bërë një proces ku prej më shumë se 2 muajsh kemi bërë proces konsultimi brenda vetes. Ka pasur diskutime brenda PS në një rreth më të vogël. Kemi bërë për këtë çështje dy herë diskutime në Kryesinë e PS. Edhe në Kryesinë e PS është bërë një propozim me emra dhe nga ai proces ka dalë një short listë dhe nesër është dita finale. Ka disa emra. Kjo është një çështje shumë serioze”.
Balla ripërsëriti se kandidatura do të jetë e kundërta e Presidentit aktual. Ai u shpreh i bindur se për figurën që socialistët do të propozojnë, edhe nga opozita do të kenë arsye për ta votuar.
“Do jetë tërësisht i kundërt nga ajo që ka qenë Ilir Meta. Do të thotë të kesh respekt për Kushtetutën, do të thotë të respektosh parimin e ndarjes së pushtetit. E kemi thënë që ne duam një president i cili të respektojë parime kushtetuese, të qëndrojë mbi palët. Ne kemi thënë që ditën e parë që nuk do donin të kishim një politikan aktiv. Kandidatura me të cilën do të shkojë PS të shtunën është një kandidaturë që mendoj edhe deputetë të opozitës të përgjegjshëm kanë arsye të forta për ta votuar”.
/abcnews.al