Presidenti azer, Ilham Aliyev beson se ekziston një paqe de facto midis Azerbajxhanit dhe Armenisë.
“Midis Azerbajxhanit dhe Armenisë, ka një paqe de facto, pasi situata në kufi ka qenë paqësore në muajt e fundit. Por ende nuk është nënshkruar një traktat paqeje për ta sjellë këtë proces në përfundimin e tij logjik, dhe Armenia do të duhet gjithashtu të heqë pretendimet e saj territoriale ndaj Azerbajxhanit”, citohet të ketë thënë lideri azerbajxhanas në një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Unionit Ndërparlamentar (IPU) Martin Chungong.
Sipas Aliyev, Baku dhe Jerevani mund të arrijnë paqe nëse Armenia amendon Kushtetutën e saj dhe dokumentet e tjera ligjore, duke i dhënë fund mosmarrëveshjes territoriale me Azerbajxhanin.
Udhëheqësi i Azerbajxhanit vlerësoi si një hap pozitiv procesin e fillimit të diskutimeve të brendshme në Armeni për bërjen e ndryshimeve në Kushtetutë, të cilat ai tha se “mund të hapin rrugën për përfundimin e procesit të paqes sa më shpejt të jetë e mundur”./abcnews.al