Trump kërkon mbylljen e llotarisë amerikane

schedule15:07 - 1 Nëntor, 2017

schedule 15:07 - 1 Nëntor, 2017

Presidenti Donald Trump i ka kërkuar zyrtarisht Kongresit të fillojë punën për mbylljen e programit të Llotarisë Amerikane. Gjithashtu kreu i Shtëpisë së Bardhë bëri me dije se po konsideron dërgimin e autorit të sulmit terrorist në burgun e Guantanamos.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump gjatë një mbledhje të kabinetit në Shtëpinë e Bardhë tha se ka në plan të mbyllë Llotarinë Amerikane, programin e qeverisë që shpërndan rreth 50 mijë viza në vit për vendet që kanë një numër të vogël emigrimi në SHBA. “Po filloj procesin e mbylljes së këtij programi”, tha Trump ndërsa në tavolinë me të gjendej Sekretari i Shtetit Reks Tillerson dhe Sekretai i Mbrojtjes Xhim Metis.

Donald Trump, President i SHBA: “Do t’i kërkoj Kongresit që të fillojë menjëherë punën për të hequr qafe këtë program, llotarinë e diversitetit. Duket mirë, por nuk është i tillë. Nuk ka qenë program i mirë dhe ne jemi kundër tij”.

Gjithashtu edhe më herët kreu i Shtëpisë së Bardhë u shpreh kundër kundër llotarisë amerikane. Trump u shpreh se autori i sulmit që shkaktoi tetë viktima dhe me origjinë nga Uzbekistani, kishte hyrë në territorin amerikan nëpërmjet llotarisë amerikane. Presidenti amerikan këmbënguli se po lufton shumë ashpër për një emigracion të bazuar në merita, dhe sistemet e llotarisë demokratike duhet të marrin fund. Por kjo nismë është kundërshtuar nga demokratët dhe disa kryebashkiakë. Drejtuesi i Nju Jorkut, Bill De Blasio dhe guvernatori Endrju Komo, i kërkuan presidentit të mos e përdorë sulmin për politikat e tij.

Në prononcimin për media pas mbledhjes së kabinetit, Trump bëri me dije se po konsideron dërgimin e autorit të sulmit terrorist në burgun famëkeq të Guantanamos. Gjithashtu kreu i Shtëpisë së Bardhë njoftoi se anëtarët e familjes së terroristit Sayfullo Saipov, mund të paraqesin kërcënim për Shtetet e Bashkuara. Ndërkohë, Trump kritikoi edhe sistemin amerikan të drejtësisë duke thënë se e bën për të qeshur.