Joe Biden u shpreh në një intervistë televizive se Vladimir Putin është një vrasës. “Ju e njihni Vladimir Putin. Mendoni se është një vrasës?”, e pyeti Stefanopulos i ABC.
“Po”, u përgjigj presidenti amerikan, duke premtuar se lideri i Kremlinit do të paguajë një “çmim të lartë” pasi u përpoq të ndërhynte në zgjedhjet presidenciale amerikane të 2020-ës.
Komentet e kreut të Shtëpisë së Bardhë vijnë një ditë pas publikimit të raportit të shërbimit të inteligjencës amerikane, sipas të cilit presidenti rus Putin autorizoi veprime për të denigruar Biden dhe për të ndihmuar Trump, duke minuar besimin në procesin elektoral; si dhe duke ushqyer përçarjet socio politike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Biden u shpreh se në telefonatën e tij në fund të janarit kishte paralajmëruar homologun e tij rus për një reagim amerikan për shkak të ndërhyrjeve në procesin zgjedhor. Biden theksoi se kishin folur gjatë dhe se e njihte relativisht mirë Putin.
Presidenti nuk e saktësoi se cili është çmimi për t’u paguar nga Moska. Por pavarësisht kësaj ai mendon se mund të ketë një bashkëpunim në të ardhmen me Rusinë, për interesa të Shteteve të Bashkuara të Amerikës si për shembull për sa i përket armatimeve.
Fjalët e Biden janë një sulm ndaj rusëve, një reagim histerik për shkak të pafuqisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ka qenë ky reagimi i kryetarit të parlamentit rus Volodin. Ai shtoi se Biden ofendoi qytetarët e vendit me deklaratat e tij: Putin është presidenti ynë, sulmet ndaj tij janë sulme ndaj Rusisë./abcnews.al