Presidentët Vuçiç dhe Putin takim në Rusi: Partneritet strategjik mes dy vendeve

schedule17:09 - 4 Dhjetor, 2019

schedule 17:09 - 4 Dhjetor, 2019

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç u takua të mërkurën në Sochi të Rusisë me homologun e tij rus Vladimir Putin. Pas takimit, dy presidentët theksuan rëndësinë e përmirësimit të bashkëpunimit Serbi-Rusi në sferat ekonomike, politike dhe mbrojtëse.

Ndërkohë Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha të mërkurën se nuk është optimist për arritjen e një kompromisi midis Beogradit e Prishtinës, që do të sillte, siç tha ai, zgjidhje përfundimtare për Kosovën. Vuçiç i bëri këto komente në Sochi të Rusisë, pas takimit me presidentin rus, Vladimir Putin. Dy presidentët iu drejtuan mediave, duke theksuar rëndësinë e përmirësimit të bashkëpunimit Serbi-Rusi në sferat ekonomike, politike dhe mbrojtëse. Putin tha se marrëdhëniet midis dy vendeve po zhvillohen shumë pozitivisht dhe shtoi se partneritetin e tyre strategjik e konfirmon puna e përditshme.

Ndërsa Vuçiç tha se Serbia ka përfunduar pothuajse ndërtimin e pjesës së saj të tubacionit, që do të bartë gazin natyror rus nën Detin e Zi, duke anashkaluar Ukrainën. Projekti i tubacionit “Rrjedha Turke” paraqet një investim të madh dhe një mundësi të madhe për zhvillimin e Serbisë, tha Vuçiç. Faza e parë e tubacionit, për të furnizuar Turqinë pritet të jetë funksionale deri në fund të vitit, me një kapacitet prej 15,75 miliardësh metra kub. Takimi në Sochi vjen pasi shërbimet e inteligjencës në Beograd njoftuan muajin e kaluar se kanë zubuluar një operacion spiunazhi midis agjentëve rusë, zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të ushtrisë serbe. Por, Vuçiç u zotua se ky zbulim nuk do t’i rrezikojë marrëdhëniet “vëllazërore dhe miqësore” të Serbisë me Rusinë. Takimi në Sochi është i treti midis presidentëve të Rusisë dhe Serbisë këtë vit dhe i shtatëmbëdhjeti në përgjithësi, tha Presidenca e Serbisë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!