Presidenca e Kosovës ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit të jashtëm rus, Sergei Lavrov i cili tha se Rusia e mbështet iniciativën e “Ballkanit të Hapur”.
Shef i stafit të presidencës së Kosovës, Blerim Vela në një postim në Twitter ka thënë se Lavrov e sheh nismën e “Ballkanit të Hapur” si një instrument për promovimin e hegjemonisë rajonale nga Rusia dhe Serbia.
“Ministri i Jashtëm i Rusisë, Lavrov konfirmon hapur lidhjen në mes synimeve hegjemoniste të Rusisë në Ukrainë dhe synimeve hegjemoniste të Serbisë ndaj Kosovës. Për më tepër, Lavrov e sheh nismën e Ballkanit të Hapur si një instrument për promovimin e hegjemonisë rajonale nga Rusia dhe Serbia dhe për të prishur integrimin në BE dhe NATO”, ka shkruar Vela.
Ndaj kësaj deklarate ka reaguar edhe kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme i Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi. Abazi tha se meqenëse Lavrov e mbështetë “Ballkanin e Hapur”, ndërkohë që shkatërron Ukrainën, a do të thotë kjo se kushdo që mbështet këtë nismë e mbështetë po ashtu edhe shkatërrimin e Ukrainës.
Çfarë tha Lavrov? Kryediplomati rus e kishte në agjendë që më 7 qershor ta vizitojë Serbinë, por tre shtete i ndaluan hapësirën ajrore, duke ia bërë të pamundur vizitën.
Pas kësaj, ai në një konferencë për media ka thënë se “askush s’mund ta prishë Serbinë me Rusinë”. Krahas tjerash, ka folur edhe për “Ballkanin e Hapur”, duke hedhur Kritika ndaj NATO-s dhe Bashkimit Evropian. “Shihet qartë se zyrtarët e Brukselit nuk kanë dashur që ne të konfirmojmë pozicionin tonë për Kosovën, Bosnjë-Hercegovinën dhe të shprehim përkrahjen për iniciativën e Beogradit ‘Ballkani i Hapur’”, kishte thënë Lavrov.
/abcnews.al