Prenga: Atmosfera në ekip është pozitive, jam maksimumin për fanellën kuqezi

schedule14:00 - 24 Mars, 2022

schedule 14:00 - 24 Mars, 2022

Herdi Prenga është rikthyer sërish në kombëtaren shqiptare, ndërsa doli ditën e sotme në konferencën për shtyp në prag të miqësores me kombëtaren e Spanjës që do të luhet më 26 mars ora 19:45.

Prenga theksoi se është shumë i lumtur që është kthyer në kombëtare pas 4 vitesh, ndërsa premtoi se gjithmonë është i gatshëm për fanellën kuq e zi, ndërsa theksoi se do të japë maksimumin në fushën e lojës.

 “Kam qenë në kombëtare para katër vitesh, kur ishte trajner Panuçi. Sigurisht jam i kënaqur që jam sërish me çunat dhe kombëtaren. Falënderoj trajnerin për ftesën, do të jap maksimumin dhe do të mundohem të ndihmoj ekipin. Minutat që kam pasur në Hungari më kanë ndihmuar të jem sërish në kombëtare. Jam paraqitur mirë aty dhe mora ftesën.

Sigurisht, ata janë lojtarë që luajnë në një nga kampionatet më të fortë në botë, kanë eksperiencë, kualitet dhe mund të mësoj shumë gjëra nga ata. Unë do të jap maksimumin në stërvitje, pastaj e vendos trajneri sa minuta do të më japë ose nuk do të më japë. Të shohim.

Nuk ka qenë e lehtë. Panuçi dhe Reja kanë pak ndryshime. Atmosfera është shumë e mirë sërish. Stërvitjet janë pak të ndryshme në anën teknike, por secili trajner ka stilin e vet.

Me klubin në Hungari ndihem shumë mirë, e kam gjetur veten aty. Ekipi është i mirë dhe rezultatet janë shumë të mira. Kam qenë mirë, në gjysmësezonin e parë isha mbrojtësi më i mirë dhe në formacionin ideal. Shpresoj të vazhdoj ashtu dhe të shohim çfarë do të ndodhë. Duhet pritur fundi i sezonit, unë do të jap më të mirën dhe të shohim çfarë do të ndodhë”, ka theksuar Prenga. /f.a/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!