Premtimi i mbajtur, historia e njeriut që qëndroi 17 vite pa folur

schedule23:00 - 31 Gusht, 2022

schedule 23:00 - 31 Gusht, 2022

Ishte viti 1971, një kohë kur lëvizja hipi kishte pushuar së qeni masive si në vitet ’60, por mbeti ende në komunitete dhe njerëz të caktuar. Pikërisht, në këtë kontekst, një 27-vjeçar bëri një premtim që e mbajti për 17 vjet: nuk do të fliste.

Gjithçka filloi me një aksident mes dy cisternave të naftës në vitin 1971, pranë Gjirit të San Franciskos, që u ndot me gati dy milionë litra naftë. John Francis shkoi në vendngjarje që të dëshmonte atë që ndodhi: “Pashë njerëz në plazh, në grupe të vogla duke pastruar.

Ata hynë në ujë dhe dolën me pelikanë dhe pulëbardha të mbuluar me vaj”, tha ai për BBC. Tronditja që i shkaktoi kjo ngjarje, e bëri atë të parkonte makinën e tij përgjithmonë dhe vetëm të ecte.

Për një moment, mendoi se nuk do të ishte i vetmi që do ta merrte këtë vendim, por nuk ndodhi kështu: “Njerëzit debatonin me mua nëse një person mund të bënte i vetëm ndryshimin. Kritikohesha nga shoferët, pasi i bëja të ndiheshin keq”.

Ditën që mbushi 27 vjeç, ai vendosi t’i bënte një dhuratë botës dhe jo anasjellas: “Unë do të ndaloj së foluri”, tha ai. Fillimisht, betimi për heshtje do të zgjaste vetëm 24 orë, por ai kuptoi se në gjithë këto vite nuk kishte dëgjuar askënd dhe se tani ndoshta ishte momenti për të dëgjuar dhe mësuar diçka nga të tjerët.

“Mendova të mos flisja edhe një ditë tjetër, që u shndërrua në një tjetër dhe më pas në një javë. Kështu, vazhdoi në heshtje për 17 vite. Gjatë asaj kohe, John Francis nuk qëndroi duarkryq. Ai filloi të udhëtonte në vendin e tij, me Kaliforninë si pikënisje, ai arriti në Oregon dhe eksploroi disa zona të egra.

Por, jo vetëm kaq. Ai u diplomua nga kolegji dhe më vonë aplikoi në programin Master të Studimeve Mjedisore në Universitetin e Montanës. Përfundoi edhe doktoraturën që u fokusua në botën e mjedisit.

Për më tepër, Francis u kontaktua për të këshilluar qeverinë amerikane për derdhjet e naftës dhe nga OKB-ja i kërkuan të ishte ambasadori i tyre mjedisor. E gjithë kjo, nga heshtja.

Koha kaloi dhe pas më shumë se 15 vjetësh pa folur, tre diploma kolegji dhe shumë arritje, John Francis ndjeu se kishte diçka për të thënë. Dita e zgjedhur ishte 2 janari 1990, Dita e Tokës. Ai e zgjodhi atë “sepse doja të flisja për mjedisin, diçka që për mua kishte kaluar nga ajo që ne tradicionalisht mendojmë”.

Konferenca u zhvillua në një hotel në Uashington. Përveç familjes dhe miqve, në të morën pjesë edhe disa media, si National Geographic. Kështu vendosi të thyente heshtjen.

Dhe, me kalimin e viteve, ai gjithashtu është rikthyer të udhëtojë me makinë, por me një makinë hibride.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!