Theresa Mej sfidon me dorëheqje nëse marrëveshja për Breksit, votohet herën e tretë në Dhomën e Përfaqësuesve. Deklaratën, Mej e bëri në përpjekje për të fituar mbështetjen e konservatorëve rebelë.
Kryeministrja britanike u ka premtuar ligjvënësve konservatorë se do të tërhiqet nëse ata mbështesin marrëveshjen e saj të daljes nga BE-ja. Kryeministrja ka bërë me dije se, në rast se pakti miratohet ajo nuk do të jetë më në pushtet për fazën tjetër të Breksit, që do të përcaktojë marrëdhëniet e ardhshme me BE-në.
Por Mej nuk ka dhënë një datë të saktë për largimin, për të cilin Unionit Europian i është kërkuar më shumë kohë. Sidoqoftë, zotimi i saj vjen në një kohë kur ligjvënësit po marrin nën kontroll agjendën e Dhomës së Përfaqësuesve, për të votuar alternativa të tjera ndaj marrëveshjes së Mej. Kritikët e kryeministres nuk dëshirojnë që ajo të jetë në krye të qeverisë për fazën e ardhshme të Breksit, kur Londra dhe Brukseli do të përcaktojnë llojin e marrëdhënieve tregtare që do të kenë, gjithmonë nëse marrëveshja kalon në Parlament.
Mej ka deklaruar se dëshiron ta kthejë akordin e arritur në Dhomën e Përfaqësuesve këtë javë, pasi dy herë më parë ai u hodh poshtë me diferencë të theksuar votash. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Xhon Berkou përjashtoi javën e kaluar mundësinë e një votimi të tretë nëse marrëveshja nuk do të kishte ndryshime thelbësore. Por një zëdhënës i qeverisë ka deklaruar se në samitin e zhvilluar javën e kaluar në Bruksel ka patur zhvillime domethënëse./abcnews.al