Aktuali është një ndër sezonet më të mira në karrierën e Karim Benzema. Sulmuesi francez po udhëheq Real Madrid drejt triumfeve në kampionat dhe Champions League, pavarësisht vështirësive dhe konkurrencës së madhe.
19 gola në La Liga për 33-vjeçarin, i cili është pesë gola larg rekordit personal në kampionatin spanjoll (24 gola në sezonin 2015/2016), teksa deri në këtë fazë të sezonit ka shënuar 25 gola në të gjithë kompeticionet (6 asiste).
Ekipi i Zidane po garon për fitimin e titullit kampion (1 pikë larg kreut) dhe Champions League, turne ku nesër do të përballet në “Anfield” kundër Liverpool për një biletë në gjysmëfinale (Reali fitoi 3-1 në Madrid).
Defensa Central raporton se Reali ka rënë dakord t’i dhurojë 2 milion euro lojtarit nëse ia del të fitojë “Topin e Artë” këtë vit. Benzema po shkëlqen me “Los Blancos”, por i duhet të fitojë minimalisht një trofe dhe të vijojë të dërgojë topa në rrjetat e ekipeve kundërshtare.
Klubi iberik e ka llogaritur shumën e 2 milion eurove në buxhetin e shpenzimeve të klubit, duke e konsideruar të lartë mundësinë që Benzema të fitojë çmimin e lakmueshëm. Me atë që ka treguar deri tani, edhe pse është shumë herët, francezi është një kandidat serioz. /abcnews.al