Juan Carlos Unzue është një emër i njohur në Spanjë. 53-vjeçari ka luajtur si portier me skuadra si Barcelona dhe Sevilla, teksa ka mbrojtur portën e të gjithë moshave të Spanjës, përveç kombëtares së madhe.
Më pas ka punuar si ndihmës-trajner te skuadra katalanase kur në stol ndodhej Luis Enrique dhe ka punuar si trajner i parë te Celta Vigo dhe Girona më pas. Gjatë ditë së sotme ka marrë një lajm të trishtë dhe befasues. Unzue është diagnostikuar me Sklerozë Amiotrofike Laterale (anësore), që sulmon moshat mes 40 dhe 60 vjeç.
Kjo është një sëmundje shumë e rrezikshme, që sulmon qelizat nervore të quajtura neurone në trurin dhe palcën tuaj kurrizore. Në fillim shkakton probleme të muskujve, teksa dëmton lëvizshmërinë, kujtesën dhe të folurit.
“4000 njerëz në Spanjë kanë të njëjtën sëmundje, prej së cilës shumë persona kanë humbur jetën. Unë nuk jam i mërzitur dhe nuk do të kem frikë për atë që do të ndodhë. Do t’i përgjigjem me forcën time të plotë“, deklaron Unzue, i cili nuk dorëzohet dhe është gati ta fitojë këtë betejë. /abcnews.al