Rafet Prekazi ka qenë i “ftuari” i radhës në emisionin “Fan Zone” në Supersport. Trajneri i Kosovës U21 flet rreth koronavirusit, bisedës së bërë me Valdrin Mustafën, lojtarin shqiptar që u infektua me COVI-19 dhe e mbyll me talentet e mëdha të futbollit mbarëshqiptar.
“Është shumë normale, për të gjithë skuadrat, kombëtaret, ndikon. Uroj të kalojë ky virus dhe më pas për futbollin ka kohë. Mustafa? Para dy javësh fola me Valdrinin. Është pjesë e Kosovës U21 dhe me Hannover U23. Ishte në shtëpi kur fola në telefon me të. Më tha se pret stafin mjekësor për të bërë testin. Më tha që ka dhimbje në fyt dhe në gjoks. Tani është shëruar dhe po stërvitet individualisht.
Kemi pasur probleme, dihet, politike. U ndalua futbolli për ne atëherë. Bëmë zgjidhje për të garuar dhe luanim në fusha jo të mira. Nuk ishim dakord të luanim në ligën jugosllave. Atëherë ndalej futbolli për arsye politike, tani për shkak të koronavirusit.
Dihet që Kosova ka talente. Këtu është luajtur futboll në një shtet të fortë. Liga e Jugosllavisë ishte e dyta në Europë. Kanë ikur nga jeta e vështirë këtu, kurse atje punojnë në kushte të mira. Fati i mirë është që janë të gjithë shqiptarë. Ata do e përforcojnë Kosovën dhe Shqipërinë. Koha punon për futbollin e Kosovës dhe shqiptar në përgjithësi, pasi ka shumë talente. Ne kemi pasur kushte të kqija, tani kanë ndryshuar. Jam optimist”, përfundon Prekazi. /abcnews.al