Prek dorën, çfarë është sindroma e Tunelit Karpal

schedule09:35 - 27 Prill, 2022

schedule 09:35 - 27 Prill, 2022

Sindroma e tunelit karpal është një problem i shpeshtë që prek dorën dhe kycin e dorës. Simptomat fillojnë kur nervi median shtypet në brendësi të tunelit karpal të kycit. Kjo situatë mjekësore njihet edhe si neuropatia kompresive. Çdo situatë që zvogëlon diametrin e tunelit karpal ose zmadhon indet në brendësi të tunelit mund të shkaktojë simptoma të sindromës së tunelit karpal.

Simptomat

Simptomat e tunelit karpal janë: dhimbje në pjesën e kycit të dorës, ndjesi shpimi dhe mpirje të gishtit të madh, gishtit tregues gishtit të mesit dhe gjysmës së gishtit të katërt. Si pasojë personat që vuajnë nga kjo sindromë kanë vështirësi në kryerjen e lëvizjeve të lehta, humbjen e ndjeshmërisë dhe ndjesinë e dobësimit të dorës.

Shkaqet

Shkaku i sindromës së tunelit karpal është shpesh i panjohur. Në shkaktarët e sindromës së tunelit karpal përfshihen ato sëmundje që shkaktojnë edemë apo inflamacion të indit rrethues të tendineve fleksorë (tenosinovit). Ndër to përmenden: artriti reumatoid dhe podagra, frakturat dhe luksacionet e zonës së kyçit, si dhe masat apo kistet (ganglionet) e lokalizuara në zonën e tunelit karpal. Aktivitetet e përsëritura dhe ekspozimi ndaj vibracioneve apo aktiviteteve që kërkojnë mbajtjen e kyçit në fleksion në mënyrë të përsëritur e për periudha të gjata kohe mund t’i shkaktojë ose t’i rëndojë simptomat.

Trajtimi

Trajtimi fillestar i sindromës së Tunelit Karpal fillon me terapinë konservative e cila përfshin përdorimin e tutorëve, marrjen e medikamenteve anti-infiamatorë, përdorimin e injeksioneve me steroide (kortizonikë) dhe fizioterapinë. Fizioterapia ndërhyn duke ndryshuar ose modifikuar kryerjen e aktiviteteve të jetës së përditshme si dhe në reduktimin e simptomave.

Në rastin kur trajtimi konservativ nuk jep rezultat apo simptomat janë të rënda në momentin e diagnostikimit, rekomandohet kirurgjia. Trajtimi kirurgjikal ka si qëllim reduktimin e presionit ose rritjen e hapësirës përreth nervit median në tunelin karpal.

Spitali Amerikan, përqafoje jetën!

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!