“Prefekti”, shterpësi apo cinizëm?

schedule10:46 - 3 Dhjetor, 2021

schedule 10:46 - 3 Dhjetor, 2021

Nga Edi Oga
Kur isha i vogël, qeshja me lot me komedinë “Prefekti”! Diku në maturë, kuptova se është e gabuar të vësh në lojë pa aprovimin e tyre persona që jetojnë ose trashëgohen nga pasardhës të afërt, që kanë emër dhe mbiemër, sidomos të tallesh me gjëra që njerëzit nuk i zgjedhin.

Pak më vonë, pas ndryshimit të sistemit, mësova më tepër rreth personit Qazim Mulleti dhe arsyeve të vërteta të përqeshjes së tij në një “vepër” skenike.

Disa vite më parë, nga dëshmia e një personi të familjes Mulleti, mësova mbi kalvarin e vuajtjeve në internim të familjarëve të “Prefektit”. Mësova për dramën personale të Reshitit, djalit të Qazim Mulletit, të cilin zgërdhimjet kolektive me gishtat tregues drejt fytyrës e kanë përndjekur si një demon i çartur gjithë jetën.

Ne e kemi rrëzuar tashmë sistemin i cili denigronte deri në asht njeriun për arsye të bindjeve të tij politike apo detyrave publike. Sot ne pretendojmë se jetojmë në një sistem demokratik, ku respektohen të drejtat dhe liritë e njeriut dhe mbi të gjitha, dinjiteti i tjetrit konsiderohet i pacënueshëm.

Imagjinoni sikur sot dikush të shkruajë një komedi dhe të tallet si tek “Prefekti” me familjarët e një kryeministri që humb zgjedhjet ose një presidenti që mbaron mandatin. E papranueshme, apo jo?

Unë nuk jam për “pendime” të thella të krijuesve apo për ndjenja faji apo turpi të interpretuesve. Çdo gjë duhet parë në kontekstin kohor. Masat e marrin të mirëqenë artin që u ofrohet dhe mund “të bluajnë dhe të tresin” çdo gjë që u serviret!

Më vjen keq për ata që kanë menduar të rikthehen e të lexojnë komedinë “Prefekti” për të marrë kënaqësi artistike, pra edhe estetike. Nëse kjo është bërë vetëm për provokim, për zhurmë mediatike, u sugjeroj rivënien në skenë të “Orët e Kremlinit” ose “Familja e Peshkatarit”! /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!