Dosja për lobimin në SHBA e kreut të PD-së, Lulzim Basha, ish-Sekretarit të Përgjithshëm të kësaj force politike, Arben Ristanit dhe financierit Ilir Dervishit nuk do të gjykohet nga Fatmira Hajdari.
Gjykata ka pranuar kërkesën e gjyqtares Hajdarit për t’u tërhequr nga gjykimi i kryedemokratit.
Mësohet se se gjyqtarja ka deklaruar se vendimin e ka marrë për të shmangur paragjykimin, për shkak të njohjeve personale me kreun e opozitës.
“Basha ka qenë disa herë në shtëpinë time si kryetar i opozitës, në ceremonitë për bashkëshortin tim. Pres që kërkesa ime të pranohet”, është shprehur Hajdari në kërkesën e dërguar një javë më parë.
LEXO EDHE: Gjyqtarja Fatmira Hajdari, heq dorë nga gjykimi i Bashës
Tashmë relatorë e dosjes “Basha” do të jetë gjyqtarja Shpresa Becaj e cila u zgjodh ditën e sotme pas procesit të rishortimit. Bashkë me Becajn pjesë e trupës gjykuese ndaj kryedemokratit është edhe Alaudin Malaj dhe Shkëlqim Mustafa.
Seanca e radhës gjyqësore pritet të zhvillohet në orën 10:00 të ditës së nesërme./abcnews.al