Ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev e ka quajtur fitore miratimin e propozimit francez, pasi sipas tij, çdo vendim që Maqedonia ka marrë ndër vite i është shpërblyer me ndonje arritje edhe më madhore.
“Me Marrëveshjen e Prespës fituam anëtarësimin në NATO, por edhe me realizimin e Autoqefalisë së Kishës sonë Ortodokse Maqedonase – Kryepeshkopatës së Ohrit, kemi një konfirmim të drejtpërdrejtë të identitetit tonë autokton maqedonas. Me fillimin e negociatave me një gjuhë maqedonase të verifikuar dhe të pakontestueshme në kuadër të Bashkimit Evropian, marrim një tjetër fitore identitare”, tha ish-kryeministri Zoran Zaev në një prononcim për mediat në vend.
Zaev tha po ashtu se qeveria e LSDM-së, ka mbajtur leksion politik për opozitën e vendit.
“Qeveria progresive e udhëhequr nga LSDM-ja edhe një herë mbajti leksion patriotik se përparimtarët janë e ardhmja. Mësimi në fund të fundit për popullin tonë, për të kuptuar kush janë në fakt mbrojtësit e Maqedonisë dhe të ardhmes. Ne, përparimtarët në krye me LSDM-në, me politikat tona të guximshme dhe të mençura, sollëm statusin e kandidatit në BE, e futëm vendin në NATO, më në fund mundësuam Autoqefalinë e KOM- OA, u qetësuam dhe miqësuam bashkësitë etnike, krijuam miqësi me të gjithë fqinjët, pas 17 vitesh filluam negociatat me BE-në”, nënvizoi ish-kryetari i qeverisë për kornizën e negociatave.
Kujtojmë që propozimi francez u miratua nga Kuvendi i Maqedonisë me gjithsej 68 vota pro. /abcnews.al/