Milani vazhdon përgatitjet për ndeshjen e radhës në kampionat. Kuqezinjtë do të sfidojnë Cagliarin jashtë fushe të hënën në mbrëmje, teksa trajneri Pioli ka marrë një lajm negativ ditën e sotme. Theo Hernandez dhe Hakan Calhanoglu kanë rezultuar pozitivë me Covid-19.
Të dy titullarët e Milanit kanë nisur menjëherë karantinën dhe do të mungojnë në përballjen ndaj skuadrës sarde. “Raketa” e krahut të majtë, Theo Hernandez ka qetësuar tifozët e shumtë me një postim në rrjetet sociale, aty ku zbulon gjendjen e tij shëndetësore.
“Miq të dashur, më duhet t’u them që nuk do të jem në dispozicion të skuadrës për ndeshjen me Cagliarin. Kam rezultuar pozitiv me Covid-19, por ndihem mirë. Do të vazhdoj punën individuale, kështu që më duhet të pres për t’u kthyer në stërvitje me shokët e skuadrës.
Dua t’u siguroj për gjendjen time dhe i uroj shërim të shpejtë të gjithë atyre që po kalojnë një situatë të ngjashme. Do të përpiqemi të jemi të kujdesshëm dhe të respektojmë rregullat. Ju dërgoj një përqafim të madh të gjithëve, faleminderit për mesazhet“, shkruan Theo. /abcnews.al