Nuk e kishte bërë kurrë më parë këtë gjë.
Portugalia fitoi Kupën e Botës në futboll për moshën deri 17 vjeç, dhe kjo skuadër padyshim që do të hyjë në histori.
Në një finale tepër të fortë, në Stadiumin Ndërkombëtar të Halifës në Doha të Katarit, “luzitanët” e rinj mundën Austrinë 1-0.
Vendosi goli i shënuar nga qendërsulmuesi i Benfikës, Anisio Kabral, në minutën e 32-të.
Pritet që ky emër të jetë i shquar, ndërsa ka firmosur kontratë profesioniste që në moshën 16-vjeçare.
Austriakët nuk u dorëzuan aspak dhe patën disa mundësi të mira për të barazuar, por nuk patën fat.
Herë I ndali mbrojtja e portieri kundërshtar, dhe herë shtylla.
“Luzitanët” morën medaljet e arta, ndërsa bronzi i takoi Italisë që mundi Brazilin pas penalltive në finalen për vendin e tretë.
Duket se ky brez portugez është mjaft i talentuar, edhe pse vendi europian ka prodhuar gjithmonë yje.
Në 1 qershor të këtij viti, Portugalia U17 fitoi Kampionatin Europian në turneun e mbajtur në Shqipëri, me suksesin 3-0 ndaj Francës në “Arenën Air Albania”.
Këto suksese nuk i kanë arritur as Kristiano Ronaldo, Figo apo Rui Kosta në kohën e tyre, ndërsa pritet që edhe kombëtarja e rritur portugeze të jetë në të ardhmen kandidate për titullin botëror./abcnews.al

