Portierja e Tiranës, Spaho: E ktheja shtëpinë në fushë futbolli, dua të luaj jashtë vendit

schedule13:41 - 2 Nëntor, 2020

schedule 13:41 - 2 Nëntor, 2020

Për portieren e kombëtares shqiptare U-17 për vajza, Klesjana Spaho, ky vit duket se nuk ka qenë shumë i mbrapshtë, pasi është viti kur u transferua nga ekipi i Bilishtit për në ekipin e KF Tiranës. Futbollin e ka nisur si shumë bashkëmoshatarë të saj, në moshë të vogël me shokët e lagjes, derisa u regjistrua në ekipin e Bilishtit.

Në një intervistë për rubrikën “Talenti Shqiptar” në FSHF.org, Klesjana tregon se humbjet janë një mësim për t’u përmirësuar në ndeshjet e tjera. Tashmë, pa familjen në kryeqytet, futbolli dhe shkolla janë shokët me të cilët ndan më së shumti kohën.

Ajo ndihet e lumtur që qeveria e futbollit ka vendosur si një ndër prioritetet e saj futbollin e femrave. Spaho tregon se synimi i saj është të studiojë jashtë vendit dhe të dallojë në futboll ashtu sikurse në shkollë. Në këtë intervistë, portierja e KF Tiranës tregon idhullin e saj, këshillat që ka marrë si dhe mesazhin që ka për vajzat që luajnë futboll.

-Si lindi dëshira dhe pasioni për futboll?

-Që kur isha e vogël, më pëlqente të luaja me shokët në lagje. Dëshira ishte aq e madhe, sa edhe kur ndonjë ditë binte shi jashtë dhe unë nuk kisha mundësi të luaja më ta, e ktheja shtëpinë në një fushë dhe luaja vetë. Para katër vitesh, kur isha 12 vjeçe, u hap një ekip futbolli për femra në Bilisht. U regjistrova dhe luajta për këtë ekip për tre vite me radhë. Edhe pse jam e vogël ende, kam ëndërruar që të luaj për një ekip të madh dhe këtë sezon do të përfaqësoj fanellën e KF Tiranës, në rolin e portieres.

– Cili ishte njeriu i parë që të afroi me këtë sport dhe besoi te ti?

– Babai im ka qenë një nga njerëzit që ka besuar më shumë tek aftësitë e mia dhe më ka shtyrë drejt kësaj rruge. Ka qenë dhe vazhdon të jetë shumë motivues dhe falë tij unë kam mundur të realizoj ëndrrën time fëmijërore.

– Si është marrëdhënia jote me grupin dhe trajnerin?

– Në ekipin e KF Tiranës jam e re, por kam një marrëdhënie shumë të mirë, si me stafin edhe me shoqet e mia. Edhe në Kombëtare, marrëdhënia me gocat dhe trajnerin është e shkëlqyer.

– Si e përjetove momentin kur more ftesën e parë nga kombëtarja?

– E papërshkrueshme me fjalë. Ka qenë moment shumë emocionues. Kjo është një nga arritjet e mia më të mëdha dhe do vazhdoj të punoj akoma edhe më fort që të ngjis edhe shkallët e tjera me kujdes.

– Cili ka qenë momenti apo episodi më i lumtur në karrierën tënde deri tani?

– Momentet në fakt, jo momenti më i lumtur, kanë qenë fitoret e njëpasnjëshme me kombëtaren në turneun që u zhvillua në muajin shkurt. Unë u aktivizova për herë të parë me kombëtaren dhe ndihem krenare që arrita ta nis kaq mirë eksperiencën time.

– Si e motivon veten kur ekipi nuk merr rezultat pozitiv?

– Humbja është një rezultat prej të cilit nuk duhet të dalim nga fusha me kokë ulur dhe të trishtuar por të dalim me një qëllim për ndeshjen pasuese. Nga humbja duhet të jemi të afta të mësojmë se ku duhet të përmirësojmë veten më shumë dhe që nga ai moment me këmbët në tokë të stërvitemi fort.

– Cila është sakrifica më e madhe që ke bërë për futbollin?

– Duke qenë ende e vogël, edhe unë si shumë vajza të tjera, jam detyruar të jetoj larg familjes dhe të afërmve të tjerë, për të realizuar ëndrrën time. Por, pavarësisht se jam larg tyre, unë tashmë jam pjesë e ekipit kryeqytetas dhe po studioj në Tiranë. Gjithashtu, jam munduar të mos e lë ekipin në baltë dhe për këtë gjë, kam luajtur edhe kur gjendja ime fizike nuk ishte shumë e mirë.

-Çfarë synimi ke për të ardhmen?

– Synimet e mia në të ardhmen janë të qarta. Dua të studioj jashtë vendit dhe të ndjek edhe futbollin, pasi ashtu siç jam një nga nxënëset e dalluara të shkollës, dua të jem edhe një nga vajzat e dalluara të futbollit.

– Cila është këshilla më e vyer që ke marrë dhe nga kush?

– Këshillat më të vyera i kam marrë nga trajnerët dhe njerëzit që unë kam në krah si mbështetje. Të luftoj me shpirt për të realizuar qëllimet që unë kam në jetë. Të eci gjithmonë me plan, këmbët në tokë dhe kokën lart se një ditë do t’i dihet vlera gjithçkaje.

– Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur si një ndër prioritetet e saj kryesore futbollin e femrave. Si e vlerëson këtë fakt?

– Është vërtetë për t’u vlerësuar fakti që Federata Shqiptare e Futbollit po i jep prioritet futbollit të femrave sepse ka ardhur momenti që të luajmë të gjithë si të barabartë. Duke marrë vëmendjen e duhur edhe ne motivohemi më shumë.

– Cili është idhulli yt në kombëtaren ideale?

– Idhulli im është Lorik Cana. Ai ka qenë një kapiten dhe futbollist me shumë vlera, që jepte gjithçka në fushën e lojës. Mendoj se kjo është rruga që edhe unë duhet të ndjek, për të pasur, jo suksesin e tij, sepse ai është i paarritshëm, por të bëj për kombëtaren shqiptare, shumë pak nga sa ka bërë ai.

– Çfarë mesazhi i jep vajzave që i thuhet se futbolli është vetëm për djem?

– Mesazhi im për të gjitha vajzat që luajnë futboll është se ky sport u përket të gjithëve dhe nuk duhet të ndalojmë së realizuari ëndrrën tonë. Opinioni i shumicës prej njerëzve që mendojnë se futbolli është vetëm për djem është absolutisht i gabuar. “Futbolli është një stil jete…çdokush ka të drejtë ta jetojë këtë”!

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!