Pompeo pranon pjesëmarrjen gjatë telefonatës Trump-Zelensky

schedule18:15 - 2 Tetor, 2019

schedule 18:15 - 2 Tetor, 2019

Sekretari i Shtetit, Majk Pompeo ishte i pranishëm gjatë telefonatës që presidenti Trump zhvilloi me homologun ukrainas Volodimir Zelenskij.

Konfirmimi ka ardhur nga vetë Pompeo, i cili megjithatë ka mohuar që gjatë bisedës të ketë konstatuar elementë shqetësues, sikundër përflitet.

Sekretari amerikan i Shtetit, Majk Pompeo ka konfirmuar se ka qenë i pranishëm teksa presidenti Trump zhvillonte telefonatën e kontestuar me presidentin ukrainas, Volodimir Zelenski.

Telefonata në fjalë, gjatë të cilës Trump kërkonte ndihmën e palës ukrainase për të përbaltur rivalin politik Xho Bajden, është bërë shkak për nisjen e proçedurave të inkriminimit të Trump.

Konfirmimi i shefit të diplomacisë amerikane erdhi në një konferencë shtypi të mbajtur në Itali, pasi mediat amerikane raportuan se ai kishte qenë pranë presidentit Trump gjatë bisedës me Zelenskin.

“Isha i pranishëm”, tha shkurt Pompeo.

Ai nuk iu përgjigj pyetjes nëse gjatë telefonatës kishte dëgjuar ndonjë gjë shqetësuese, por tha se gjithçka kishte të bënte me marrëdhëniet politike mes Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës.

“Marrëdhëniet tona kanë qenë të qëndrueshme dhe ne do të vazhdojmë me këtë trend”, deklaroi Pompeo.

Ditën e martë, Pompeo u shkroi demokratëve që po menaxhojnë proçedurat e inkriminimit të Trump duke u bërë thirrje që të heqin dorë nga sjelljet prej “të forti”, pas thirrjes së 5 zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të Departamentit të Shtetit për t’i marrë në pyetje.

Prania e zotit Pompeo gjatë telefonatës ishte raportuar më herët gjatë javës, por kjo është hera e parë që ai e pranon atë në mënyrë direkte./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!