Pompeo për Tienanmenin: Ngjarjet e 30 viteve më parë vazhdojnë të trazojnë ndërgjegjen tonë

schedule10:18 - 4 Qershor, 2019

schedule 10:18 - 4 Qershor, 2019

Shtetet e Bashkuara përshëndetën të hënën “heronjtë e popullit kinez që u ngritën me guxim” kundër shtypjes vdekjeprurëse të qeverisë së tyre ndaj disidentëve në masakrën e sheshit Tienanmen 30 vjet më parë.

Sekretari i Shtetit Mike Pompeo tha në një deklaratë se protestuesit, qindra prej të cilëve u vranë nga ushtarët dhe tanket në protestën e 4 qershorit të vitit 1989, “shërbyen si frymëzim për brezat e ardhshëm, duke bërë thirrje për liri dhe demokraci në mbarë botën, që filloi me rënien e Murit të Berlinit dhe fundin e komunizmit në Evropën Lindore në muajt që pasuan “.

Diplomati më i lartë i amerikan tha: “Ngjarjet e 30 viteve më parë vazhdojnë të trazojnë ndërgjegjen tonë”. Ai i bëri thirrje Pekinit që “të bëjë një llogaritje të plotë dhe publike të të vrarëve, apo të zhdukurve për t’i dhënë ngushëllim viktimave gjatë këtij kapitulli të errët të historisë. Një hap i tillë do të fillonte të demonstronte gatishmërinë e Partisë Komuniste për të respektuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. ”

Sekretari Pompeo tha se në tre dekadat që kur incidenti u transmetua në të gjithë botën, Shtetet e Bashkuara kishin “shpresuar se integrimi i Kinës në sistemin ndërkombëtar do të çonte në një shoqëri më të hapur dhe tolerante”.

Por, tha sekretari Pompeo: “Këto shpresa janë thyer, shteti një partiak i Kinës nuk toleron disidentë dhe abuzon me të drejtat e njeriut, sa herë që t’i shërbejë interesave të tij. Sot, qytetarët kinezë i janë nënshtruar një vale të re abuzimi, veçanërisht në Xinjiang, ku udhëheqja e partisë komuniste po tenton të mbysë kulturën e ujgurëve dhe të zhdukë besimin islam, duke përfshirë edhe ndalimin e më shumë se një milion pjesëtarëve të grupeve të pakicave myslimane “.

“Ndërsa partia ndërton një shtet të fuqishëm mbikqyrës, qytetarët e zakonshëm kinezë vazhdojnë të kërkojnë të ushtrojnë të drejtat e tyre njerëzore, të organizojnë sindikata të pavarura, të ndjekin drejtësinë përmes sistemit ligjor dhe thjesht të shprehin pikëpamjet e tyre, për të cilat shumë janë dënuar, madje edhe të torturuar “, shtoi sekretari Pompeo.

Kina të dielën mbrojti shtypjen e ashpër të protestuesve pro-demokracisë të Tiananmenit, duke thënë se ajo ishte një “politikë e duhur”.

Ministri i Mbrojtjes Wei Fenghe, duke iu përgjigjur një pyetjeje të paraqitur në një konferencë në Singapor, tha: “Pati një përfundim të këtij incidenti, që ishte një trazirë politike që qeveria qendrore duhej ta shtypte. Ishte një politikë e drejtë. ”

Mbrojtja nga ministri Weit e trajtimit brutal të qeverisë kineze ndaj protestuesve ishte një njohje e rrallë e incidentit, që ndodhi pas shtatë javë demonstratash nga studentët dhe punëtorët që kërkonin ndryshime demokratike dhe fundin e korrupsionit.

Ushtarët dhe tanket e qeverisë ndoqën dhe vranë qindra protestues, ndoshta më shumë se 1,000 vetë, megjithëse numri i saktë i vdekjeve mbetet i panjohur.

Ministri Wei shtroi pyetjen, përse kritikët ende thonë se Kina “nuk e trajtoi siç duhet këtë incident.”

“30 vjet kanë dëshmuar se Kina ka pësuar ndryshime të mëdha,” tha ai. Wei tha se për shkak të reagimit të Pekinit në atë kohë, “Kina ka gëzuar stabilitet dhe zhvillim”.

Por brenda Kinës, censorët në internet kanë pastruar përmendjen e shtypjes së Tiananmen nga mediat sociale, duke hequr artikuj, komente dhe fotografi. Diskutimet për shtypjen e protestave janë tabu në Kinë, me autoritetet që paralajmërojnë grumbullimin e aktivistëve, avokatëve dhe gazetarëve çdo vit, kur afrohet përvjetori./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!