Pompeo nuk i përjashton bisedime të reja me talibanët

schedule09:26 - 9 Shtator, 2019

schedule 09:26 - 9 Shtator, 2019

Pasi Presidenti amerikan Trump i ndërpreu negociatat me talibanët në Afganistan, ministri i tij i Jashtëm nuk e përjashton në parim rifillimin e bisedimeve. Talibanët u treguan të gatshëm për të biseduar.

Ministri i Jashtëm i SHBA, Mike Pompeo nuk e përjashton një rinisje të mundshme të negociatave për paqen me talibanët radikalë islamikë në Afganistan. “Ne do të shohim,” i tha Pompeo stacionit televiziv CNN. Sidoqoftë, për një rinisje të bisedimeve, talebanët do të duhej të bënin premtime të rëndësishme dhe mbi të gjitha t’i zbatonin ato. Ai nuk u shpreh konkretisht, nëse dhe kur mund të rifillojnë bisedimet e paqes, por e bëri të qartë se qeveria e SHBA është edhe më tej e interesuar për një marrëveshje paqeje me talebanët.

Sido që të jetë, qeveria amerikane do të bëjë gjithçka për të mbrojtur amerikanët dhe interesat e SHBA, tha Pompeo. Shtetet e Bashkuara do t’i tërhiqnin trupat nga Afganistani vetëm nëse kushtet do të ishin të përshtatshme. SHBA dhe talibanët negociojnë që nga korriku i vitit 2018 për një zgjidhje politike të konfliktit 18-vjeçar në Afganistan.

Talibanët presin negociata të mëtejshme

Ndërkohë, talibanët paralajmëruan se SHBA do të vuanin “më shumë se kushdo” nga pasojat e vendimit të Trumpit. “Lufta jonë e 18 viteve të fundit duhet t’u ketë konfirmuar amerikanëve, se nuk jemi të kënaqur derisa të përjetojmë fundin e plotë të pushtimit,” tha grupi në një mesazh të shkurtër në Twitter përmes zëdhënësit të tij Sabihullah Mujahid.
Deri atëherë, “lufta e shenjtë do të vazhdojë për të arritur këtë qëllim të madh”. Talibanët gjithashtu shprehën shpresën se qeveria amerikane do të tregohej dakord për negociata të mëtejshme.

Mike Pompeo besucht Afghanistan (Reuters/J. Martin)

Politikë botërore në twitter

Pak para një marrëveshjeje të pritshme SHBA-Taliban, Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi të shtunën natën (me kohën lokale), krejt papritur, se ai i kishte ndërprerë negociatat e mëtejshme me talibanët për shkak të një sulmi vdekjeprurës në Kabul. Në sulm u vra edhe një ushtar amerikan.

Trumpi shkroi në Twitter se ai kishte anuluar edhe takimet sekrete me talibanët dhe – ndaras – me Presidentin Afganistan Ashraf Ghani, të cilat fillimisht qenë caktuar të zhvilloheshin të dielën në Camp David. Ghani dhe anëtarë të tjerë të qeverisë qenë ftuar në Shtetet e Bashkuara veçmas nga Talibanët, por nuk e kishin nisur udhëtimin. Talibanët gjithmonë kanë kundërshtuar të negociojnë me përfaqësues të qeverisë.

Pompeo tha se Trumpi kishte marrë vendimin e duhur, të cilin ai e mbështet plotësisht. Talibanët nuk duhet të shpërblehen për sjellje të gabuar. Qeveria afgane gjithashtu ua hodhi përgjegjësinë talebanëve për dështimin e bisedimeve.

Rreth një javë më parë, i dërguari special i SHBA, Zalmay Khalilzad prezantoi vija të përgjithshme të planit të paqes midis SHBA dhe talibanëve. Sipas tij, SHBA do të tërheqin rreth 5000 ushtarë amerikanë nga Afganistani në pesë muajt e ardhshëm. Si përgjigje, talibanët duhet të pakësojnë sulmet e tyre dhe të mos ofrojnë mbrojtje për organizatat terroriste si Al Kaida. Tani është e paqartë nëse bisedimet gjithsesi të vështira mund të rinisin. Talibanët kanë kërcënuar me sulme ndaj qendrave të votimit dhe votuesve në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në fund të shtatorit./DW

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!