Pompeo: Mos i besoni askujt se Perëndimi po dështon

schedule19:41 - 12 Gusht, 2020

schedule 19:41 - 12 Gusht, 2020

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka akuzuar Rusinë për minimin e demokracive në Evropë dhe dezinformim, ndërsa Kinën për fushatë të shantazhit në mënyrë që të fitojë ndikimin në botë.

Pompeo u bëri thirrje vendeve evropiane të mbrojnë parimet e demokracisë dhe të kujdesen më shumë për sovranitetin e tyre. Ai këto komente i bëri gjatë një adresimi në parlamentin e Çekisë, në kuadër të një vizite dyditore në këtë vend. Çekia është pjesë e një turneu pesëditor të Pompeos në Evropën Qendrore.

“Rusia vazhdimisht po përpiqet të minojë demokracinë dhe sigurinë tuaj përmes fushatave dezinformuese, sulmeve kibernetike, ajo po përpiqet të riformulojë historinë tuaj. Ekziston gjithashtu një kërcënim nga Partia Komuniste Kineze dhe fushata e saj e shantazhit“, tha Pompeo.

Kreu i Departamentit Amerikan të Shtetit tha se regjimet autoritare nuk u zhdukën në 1989. Sipas Pompeos, problemi me Kinën është më kompleks sesa rivaliteti që ka qenë me ish-Bashkimin Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë, sepse Kina kërkon të ndikojë në vendet përmes bashkëpunimit ekonomik, pastaj duke i kërcënuar me pasoja nëse nuk veprojnë ashtu siç dëshiron Pekini.

“Mos i besoni askujt që Perëndimi po dështon. Perëndimi po fiton. Ne duhet të bashkëpunojmë. Ne kemi një detyrim të flasim hapur para të gjithëve, pa frikë“, tha Pompeo.

Pompeo, të enjten udhëton në Slloveni, pastaj në Austri, dhe përfundon turneun e tij evropian të shtunën në Poloni./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!