Pompeo kundër Vatikanit: Mos rinovoni marrëveshjen me Kinën për emërimin e peshkopëve!

schedule13:19 - 21 Shtator, 2020

schedule 13:19 - 21 Shtator, 2020

Shtetet e Bashkuara të Amerikës tashmë janë dhe kundër Vatikanit në përpjekje për të bllokuar rinovimin e marrëveshjes me Kinën për emërimin e peshkopëve.

Sekretari amerikan i shtetit Majk Pompeo, me anë të një mesazhi në profilin e tij në Twitter u shpreh se dy vjet më parë selia e shenjtë kishte nënshkruar një marrëveshje me partinë komuniste kineze në përpjekje për të ndihmuar katolikët kinezë.

Por abuzimi i partisë komuniste ndaj besimtarëve u përkeqësua. Sipas Pompeos, Vatikani do të vendoste në rrezik autoritetin e tij moral nëse rinovon këtë marrëveshje.

Në 29 shtator Pompeo do të jetë në Vatikan dhe do të përpiqet të luajë letrat e tij për ta bindur Kishën që të bëjë një hap prapa. Por në të vërtetë gatishmëria e selisë së shenjtë ndaj Kinës është maksimale, aq sa njerëzit e sekretarisë së shtetit presin një përgjigje pozitive nga ana e Kinës në mes të muajit tetor, pra brenda datës kur u nënshkrua marrëveshja dy vjet më parë.

Por Pompeo këmbëngul duke thënë se nëse partia komuniste kineze do të arrijë të vendosë Kishën dhe komunitete të tjera fetare me shpatulla pas muri, regjimet që shkelin të drejtat e njeriut do të përforcohen dhe kostoja e rezistencës ndaj tiranive do të jetë shumë e lartë për besimtarët kurajozë të cilët nderojnë Zotin përtej autokratit të radhës. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!