Pompeo anulon vizitën në Moskë

schedule17:00 - 13 Maj, 2019

schedule 17:00 - 13 Maj, 2019

Sekretari amerikan i shtetit Majk Pompeo ka zgjedhur të shkojë në Bruksel për të biseduar rreth situatës me Iranin, duke anuluar vizitën në Moskë. Pompeo do të flasë me zyrtarët evropianë për programin bërthamor të Teheranit.

 Sekretari amerikan i shtetit Majk Pompeo nuk do të shkojë më në Moskë si ishte planifikuar. Departamenti Amerikan i Shtetit konfirmoi anulimin e vizitës zyrtare duke sqaruar se ai do të takohet me presidentin rus Putin dhe ministrin e jashtëm rus të martën. Në vend që të shkojë në kryeqytetin rus, Pompeo do të bisedojë në Bruksel me zyrtarë evropianë për Iranin dhe çështje të tjera, si raporton agjencia e lajmeve Reuters e cila citon burime anonime të departamentit amerikan të shtetit.

Pompeo i cili të martën pritet të jetë në Rusi do të flasë me palën ruse për ato që Uashingtoni i cilëson si veprime agresive dhe destabilizuese. Shtetet e Bashkuara të Amerikës shpesh kanë akuzuar Rusinë se përzihet në punët e brendshme të shteteve  të tjera, përfshirë dhe Venezuelën, ku sipas Pompeos vetëm Shteteve të Bashkuara të Amerikës u lejohet të ndërhyjnë.

Gjatë javës së kaluar Pompeo ka shtuar presionin ndaj Iranit duke kërcënuar me vendime të ashpra që Uashingtoni është i gatshëm të marrë në mbrojtje të qytetarëve dhe interesave amerikane. Të martën ai anuloi vizitën në Gjermani duke shkruar në Irak për të paralajmëruar Bagdadin që të qëndrojë larg bizneseve me Teheranin, në  të mirë të pavarësisë së tij.

Të premten Pentagoni konfirmoi dërgimin e sistemeve anti-raketë Patriot në Lindjen e Mesme, edhe pse Pompeo këmbëngul se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk duan luftë me Iranin.

Teherani nga ana e tij akuzon Bashkimin Europian se po bie pre e presionit amerikan duke dështuar në synimin për të detyruar palën amerikane të respektojë marrëveshjen për programin bërthamor me Iranin./ABC News Albania 24/7