Polumbarët po e kërkojnë përgjatë Bunës, shefi i anti-drogës në Ulqin mund të jetë i përfshirë në trafikun e drogës

schedule12:32 - 2 Qershor, 2021

schedule 12:32 - 2 Qershor, 2021

Detaje të reja mësohen nga zhdukja e shefit të antidrogës të Ulqinit dhe Tivarit Rudolf Elezoviç. Mësohet se ai mund të jetë fshehur vetë pasi dyshohet se mund të jetë përfshirë në trafikun e 1.5 ton marijuanë që u kap në kuadër të operacionit ” Kurthi”.

Me finalizimin e këtij operacioni u arrestuan 20 persona, një nga të cilët është tashmë dëshmitar i mbrojtur pasi dyshohet se ka nxjerrë emrin e Elezoviç si personi që ka dhënë informacion për lëvizjet e policisë.

Pista tjetër e hetimit lidhet me zhdukjen e tij nga persona të lidhur me krimin.

Rudolf Elezoviç humbi kontaktet me familjarët më 27 maj të këtij viti në mes të kufirit të ujor të Shqipërisë me Malin e Zi në afërsi të Pentarit dhe Reçit në lumin Buna.

Autoritetet malazeze pas denoncimit të familjarëve për humbjen e 54-vjeçarit nisën hetimet ndërsa kanë sjellë materialet edhe në policinë e Shkodrës duke kërkuar kështu bashkëpunim dhe mbështetjen e autoriteteve shqiptare për gjetjen e shefit të antidrogës të Ulqinit dhe Tivarit.

Ndërkohë një hetim tashmë nga materialet referuar nga policia e Shkodrës pas dosjes së sjellë nga malazezët ka nisur edhe prokuroria e Shkodrës. Deri më tani mbeten enigmë shkaqet e kësaj humbjeje të 54 vjeçarit ndërsa dyshimet e para janë për një ngjarje kriminale edhe pse deri më tani nuk ka asgjë konkrete.

Sipas familjarëve biseda e fundit e Elezoviç ishte: “Po shkoj deri në Shkodër se kam një punë. Nuk vonohem se kur të vij do i bie shkurt”, duke nënkuptuar se do të kthehej përmes kufirit ujor të Shqipërisë me Malin e Zi në lumin në Buna në zonën mes Pentarit dhe Reçit.

Edhe nga sinjali i celularit, gjurma e fundit e 54 vjeçarit rezulton pikërisht në këtë zonë të kufirit ujor dhe prej aty nuk dihet asgjë më shumë rreth lëvizjeve të tij dhe se çfarë ka ndodhur. /abcnews.al/