Polonia sfidon ligjet e BE-së, cili është vendimi i Gjykatës Kushtetuese

schedule22:31 - 7 Tetor, 2021

schedule 22:31 - 7 Tetor, 2021

Gjykata Kushtetuese e Polonisë e ka hedhur poshtë parimin e përparësisë së ligjit të BE -së mbi legjislacionin kombëtar në çështje të caktuara gjyqësore.

Vendimi është një goditje ndaj epërsisë së ligjit të BE -së mbi legjislacionin kombëtar polak dhe vendimeve të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë.

Ai gjithashtu vë në pikëpyetje themelet e funksionimit të një vendi anëtar të BE-së brenda bllokut.

Vendimi i 7 tetorit i Gjykatës Kushtetuese u mor për një rast që përfshinte ndryshimet në sistemin e gjyqësorit të bëra nga qeveria nacionaliste Ligji dhe Drejtësia (PiS).

Organi ekzekutiv i Bashkimit Evropian – Komisioni Evropian, tha se vendimi ka shkaktuar “shqetësime serioze”.

Përmes një deklarate KE-ja tha se “ligjet e BE -së kanë përparësi mbi të drejtën kombëtare, përfshirë dispozitat kushtetuese”.

“Të gjitha vendimet e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë janë të detyrueshme për të gjitha autoritetet e shteteve anëtare, përfshirë gjykatat kombëtare“, tha deklarata.

Vendimi mbase krijon një precedent për një sërë mosmarrëveshjesh mes Varshavës dhe Brukselit në fushat siç është liria e medias dhe të drejtat e njeriut.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese gjithashtu mund të zbehë të ardhmen e 38 milionë polakëve në bllokun prej 27 anëtarësh.

Çështja ishte ngritur në Gjykatën Kushtetuese nga kryeministri polak, Mateusz Moraëiecki.

Kjo është hera e parë në historinë e BE-së që një udhëheqës i një shteti anëtar kishte vënë në dyshim traktatet e BE-së.

Morawiecki e pati ngritur çështjen në muajin mars, pasi Gjykata Evropiane e Drejtësisë pati vendosur se sistemi i ri i përzgjedhjes së gjyqtarëve në Poloni – i prezantuar në vitin 2018 nga koalicioni qeverisës – shkelte ligjin e BE -së./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!