Ministri i Jashtëm polak, Radoslaw Sikorski vlerësoi se Varshava duhet të ketë të drejtën të rrëzojë raketat ruse që e kërcënojnë atë ndërsa ato janë ende mbi Ukrainë, sipas një interviste për Financial Times.
Deklaratat vijnë një javë pasi “një objekt fluturues”, ndoshta një dron rus Shahed i prodhuar nga Irani, hyri në hapësirën ajrore polake, një anëtar i NATO-s dhe aleat i ngushtë i Kievit.
Droni humbi nga radarët dhe ende nuk është gjetur. Varshava ka raportuar të paktën dy incidente të tjera të ngjashme, me raketa ruse që hynë në hapësirën e saj ajrore.
“Unë personalisht mendoj se kur raketat e armikut i afrohen hyrjes në hapësirën tonë ajrore, do të ishte legjitime të mbroheshim sepse sapo të hyjnë në hapësirën tonë ajrore, rreziku që mbetjet e tyre të lëndojnë dikë rritet”, tha ai për Financial Times.
Sipas Sikorsky, Kievi i favorizon këto operacione.
“Ukrainasit na kanë thënë: jeni të mirëpritur”, tha ai.
Në mars, ministri i Jashtëm polak kishte diskutuar këtë çështje me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s në largim, Jens Stoltenberg. Por sipas një zyrtari të lartë të aleancës, Stoltenberg “kujtoi se NATO ka forcuar ndjeshëm gatishmërinë dhe pozicionet e saj në krahun lindor të Aleancës, veçanërisht në Poloni”.
NATO është e shqetësuar për përfshirjen e mundshme të mëtejshme në luftën ruso-ukrainase./abcnews.al