Politikat kombëtare si favorizues të përqendrimit të pasurisë

schedule07:28 - 26 Qershor, 2021

schedule 07:28 - 26 Qershor, 2021

Varfëria vazhdon të mbetet një fenomen shumë i përhapur në shoqërinë tonë dhe, në një kontekst të tillë, pabarazitë sociale bëhen edhe më shqetësuese”, pohon Profesor Selami Xhepa.

Gjatë dekadës së parë të tranzicionit, edhe pse u shënuan nivelet më të larta të rritjes ekonomike, nivelet e varfërisë ishin tepër të larta, ku më shumë se 50% e popullsisë jetonin në varfëri (duke përdorur vijën e varfërisë së Bankës Botërore). Me mbështetjen e Bankës Botërore dhe të FMN-së u hartua një Strategji të Reduktimit të Varfërisë.

U pa qartë se përpjekjet ishin të suksesshme, duke e reduktuar ndjeshëm nivelin alarmant të saj. Megjithatë, duket sikur treguesi i varfërisë është stabilizuar diku në fashën e 35–40% dhe për një periudhë të gjatë, rritja ekonomike nuk ka arritur të përkthehet në mirëqenie për më shumë qytetarë, thotë Xhepa. Sipas vlerësimeve më të fundit të Bankës Botërore, varfëria në vitin 2019 ishte rreth 37%.

Faktorët kryesorë të pabarazisë që thekson literatura akademike si progresi teknologjik, globalizimi dhe ndryshimet demografike, nuk mund të ndahen nga faktorët specifikë të një vendi, të zgjedhjeve që qeveritë bëjnë lidhur me taksimin dhe programet e mirëqenies sociale, analizoi Xhepa. Në vendin tonë, veçanërisht politikat e taksimit dhe rregullat e kontabilitetit, kanë mbështetur përqendrimin e pasurive dhe të aktiviteteve ekonomike dhe nuk kanë favorizuar investimet në përmirësim teknologjik dhe në kapitalin njerëzor brenda firmës.

Për shembull, përjashtimi nga detyrimi i tatimit mbi fitimin, në rast riinvestimi të fitimeve, që është zbatuar shpeshherë nga politikat tona fiskale, nuk është shoqëruar me kushtin që riinvestimi të kryhej brenda firmës dhe në aktivitete që lidhen me transferimin e teknologjive më të përparuara, të adoptimit të patentave dhe pasaportave teknologjike miqësore ndaj mjedisit, investimit te fuqia punëtore nëpërmjet përmirësimit të kushteve të punës, rritjes së pagave dhe shpërblimeve, trajnimit dhe kualifikimeve të personelit, zbatimit të mënyrave moderne të menaxhimit dhe të organizimit të prodhimit dhe sistemeve të tregtimit etj.

Duke mos vendosur kushtëzime të tilla, firmat i kanë përdorur fitimet e patatuara për të shtënë në dorë biznese të tjera, me kosto shumë më të ulëta se konkurrentët.

Xhepa analizon se edhe kredia bankare është përqendruar në pak biznese të mëdha, të cilat, nëpërmjet edhe favoreve të tilla, janë stimuluar të bëhen gjithnjë e më të mëdha. Po kjo lloj politike, ka favorizuar edhe përqendrimin e kredisë bankare. Duke rritur vlerën e tyre të kolateralit dhe duke disponuar likuiditet të mirë nga aktivitetet e tyre ekzistuese, këto biznese kanë tërhequr edhe më shumë kredi.

Sipas tij, në mënyrë të ngjashme, edhe politikat e taksimit progresiv, të cilat pritet që teorikisht të ndikojnë në zbutjen e pabarazisë në shpërndarjen e së ardhurës kombëtare, në fakt, janë zbatuar vetëm për punëmarrësit, atë pjesë të popullatës që jeton me pagën nga puna.

Ndërsa pjesa e popullsisë me të ardhura të larta (ose të pasurit, siç thuhet në gjuhën popullore), në të vërtetë, e marrin të ardhurën vjetore të krijuar nga biznesi nëpërmjet dividendëve, fitimeve kapitale etj. Kështu, dividendi është e ardhura personale vjetore, pasi gjatë vitit, kjo kategori e popullsisë jeton me transfertat që kryhen nga veprimtaria normale e biznesit dhe që konsiderohen si shpenzime të veprimtarisë së firmës. Në fakt, dividendi trajtohet me një normë tatimore (8%) shumë më të favorshme se tatimi mbi të ardhurat nga paga, ku niveli maksimal i taksës marzhinale është 23%.

Xhepa thotë se politikat e taksimit arrijnë të korrektojnë vetëm rezultatet finale të ndarjes së të ardhurave, ato nuk mund të trajtojnë korrektimin e proceseve që e gjenerojnë pabarazinë. Kjo do të thotë se, nëse korporatat kanë pozita dominuese në treg dhe rrjedhimisht mund të vendosin çmime më të larta nga sa do të ishin në kushtet e një tregu konkurrues, atëherë këto fitime të pamerituara do të çojnë në një përqendrim gjithnjë në rritje të pabarazive edhe në afat të gjatë.

Për pasojë, duhet që procesi ligjbërës të vendosë në një ekuilibër më të shëndetshëm përqendrimin e pushtetit dhe të tregut nga kapitali drejt punës, që deri tani perceptohet gjerësisht si i anuar fort nga kapitali. Anketa me 1200 qytetarë tregoi se, më pak se 1 ndër 10 persona, mendojnë se pasuria në Shqipëri është krijuar në bazë të meritës.

Si mund të ulet

Profesor Xhepa thotë se, përveç politikave të taksimit, investimeve në edukim, teknologji dhe në ndërhyrjet në tregun e punës, duhen disa ndërhyrje urgjente që të kenë në fokus uljen e varfërisë. Sipas tij, duhet të shndërrohet Programi i Ndihmës Ekonomike në skemë aktive riintegrimi, nëpërmjet paketave e masave specifike për krijimin dhe rritjen e mundësive për punësim.

Gjithashtu duhet rritur eficienca e Skemës së Ndihmës Ekonomike nga një skemë pasive në një skemë aktive, me ndihmën e programeve të riintegrimit dhe kombinimit të tyre me skemat e punësimit, nëpërmjet krijimit të lidhjes së qëndrueshme midis Skemës së Ndihmës Ekonomike dhe skemave të arsimit profesional dhe programeve të përgatitjes për punësim, me synim fuqizimin dhe aktivizimin e familjes dhe individit në tregun e punës. Ai tha se objektivat e skemës së mbrojtjes sociale duhet të jenë të qartë dhe të miradresuara, me synim kryesor reduktimin e varfërisë dhe ekspozimit të familjeve të varfra e grupeve sociale të pambrojtura ndaj rreziqeve dhe goditjeve të natyrave të ndryshme, që ndikojnë në nivelin e varfërisë.

Eksperti sugjeroi nevojën e një strategjie për identifikimin dhe hartimin e politikave të duhura nxitëse të punësimit dhe formimit profesional të forcës së punës, me qëllim hapjen e vendeve të punës cilësore, që garantojnë të ardhura sa më të larta për punonjësit, mundësi për aftësim gjatë ciklit të jetës, si dhe përmirësimin rrënjësor të sistemit të shërbimeve të punësimit dhe arsimit profesional. /Monitor

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!