Politika shqiptare për referendumin: Shpresojmë që marrëveshja të miratohet në parlament

schedule18:07 - 1 Tetor, 2018

schedule 18:07 - 1 Tetor, 2018

Mungesa e një shifre pjesmarrjeje që do të mbyllte çdo shteg debati sa i përket vendimit që Maqedonia pritet të marrë tashmë në Kuvend për ndryshimin apo jo të emrit, bazuar në marrëveshjen e arritur në Bruksel, jo domosdoshmërisht eklipson atë të shprehjes Pro këtij ndryshimi, sipas politikës shqiptare.

“Rezultati ishte pozitiv, mbi 90% kanë votuar pozitivisht. Për mua është e qartë që teknikisht ishte e vështirë të arrihej 50+1”, shprehet Shehu.

Mungesa e një liste reale votuesish solli vështirësinë teknike për të cilën flet ish-ministri i Jashtëm, Tritan Shehu, mendim ky i përqafuar si nga demokratët edhe nga socialisët.

“Listat ishin të fryra, ka njerëz që nuk ekzistojnë në lista ndaj ka qenë shumë e vështirë të arrihej 50+1%”, tha Paulin Sterkaj.

“Duke parë rezultatin mendoj që përgatitjet për referendum ishin difektoze. Fakti që kryetari i Kuvendit nuk voton sepse nuk gjen emrin është tërësisht e papranueshme. Në organizimin e referendumit mendoj që duhej të ishte bërë një punë më e mirë”, u shpreh Edmond Spaho.

Por është pikërisht mbështetja në shifrën mbi 90% e atyre që votuan ajo që tregon sinjalin pozitiv të nevojshëm për çuarjen drejt përmbylljes së këtij problem disa vjeçar sipas socialistëve.

“Unë mendoj që qytetarët e Maqedonisë sidomos shqiptarët janë të interesuar të jenë pjesë e NATO dhe BE dhe një vote pro në 90% është një sinjal i mirë pozitiv i një vazhdimësie që gjithë rajoni duhet ta ndjekë”, tha Ervin Bushati.

“Sipas Kushtetutës nuk është kaluar pragu, por po e ratifikoi parlamenti është normale”, thotë Paulin Sterkaj.

I një mendje janë edhe demokratët. Për Tritan Shehun, referendumi kreu funksionin e tij konsultativ.

“Duke pasur përkrahjen e një referendumi ku 37% votuan dhe pro me 90% shpresoj që parlamenti të votojë pozitivisht”, tha ai.

Jo kaq pozitiv është nënkryetari i demokratëve Spaho.

“Fakti që nuk u arrit pjesëmarrja është problematike sepse do duhet të shkojë në Kuvend, ku mazhorana nuk i ka votat e nevojshme për t’i kaluar. Unë jam skeptik që opozita do japi votën për ndryshimet kushtetuese”, sipas tij.

Ky referendum ishte rasti më i mirë, tashmë i djegur sipas tij, për të kapërcyer një problem që për Edmond Spahon tashmë zgjidhet përmes skenarit të zgjedhjeve të parakohshme.

“Mbase merr shumicën e nevojshme në parlament për ta kaluar”.

“Në qoftë se ky ndryshim nuk kalon në parlament, rrezikon e gjithë Maqedonia. Është problem i madh që padyshim do jetë shqetësues për gjithë rajonin tonë”, thotë nga ana tjetër Tritan Shehu.

Pas votës referendare të 30 Shtatorit është radha e ligjvënësit maqedonas të votojë për ndryshimin apo jo të emrit të shtetit fqinj, kryeministri i së cilës Zoran Zaev, në rast të bllokimit të finalizimit të marrëveshjes së arritur mes tij dhe Aleksis Tsipras në Bruksel, paralajmëroi mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!