Politika është një lojë që në fund, gjithmonë e humb “Basha”

schedule17:04 - 5 Korrik, 2022

schedule 17:04 - 5 Korrik, 2022

Nga Lorenc Vangjeli

Pritshmëritë për protestën e të enjtes janë tejet të ndryshme. Demokratët shpresojnë që bulevardi përpara kryeministrisë të bëhet lumë që të përmbytë kryeministrin; socialistët llogarisin që vapa maramendëse e korrikut ta bëjë përrua lumin e njerëzve.

As njëra dhe as tjetra nuk ka për të ndodhur. Si gjithmonë, realiteti është diku në mes të pritshmërive ekstreme të të dy palëve.

Lidershpi i ekipeve në ndeshje, nga ana tjetër, bën të tjera llogari.

Sali Berisha e di që e nesërmja e protestës do ta gjejë ende në zyrën e tij Edi Ramën. Rama do të jetë kryeministër edhe të premten pas të enjtes, njëlloj si shumë të nesërme të tjera deri në vitin e largët 2025, me kusht që mos ndodhë ndonjë aksident i paparashikuar që t’i frakturojë kabinetin. Nga ai tip aksidentesh që mund të krijojë tashmë drejtësia.

Edi Rama e di se protesta e Sali Berishës nuk drejtohet thjesht kundër tij. Ai vetë është garniturë e një menuje që ka të bëjë kryesisht me PD-në dhe përpjekjet për të krijuar kohezion, bashkim dhe unifikim të opozitës. Për paradoks, Rama e kupton se ai është hallka e vetme për të bashkuar demokratët e ndarë ns një PD të ndarë në dysh. Nga një anë është një grup parlamentar që nuk ka parti dhe nga ana tjetër është një parti e cila nuk kontrollon dot grupin e saj parlamentar. Vetë kryeministri është përfitues i dorës së parë nga riardhja e Berishës në krye të PD-së. Përballë Berishës, edhe mbas kaq vitesh në pushtet, ai ngjan si një adoleshent i pafajshëm në politikë. Berisha që proteston kundër Ramës, është në fakt hipoteka e pushtetit të Ramës përballë do ambicjeje të vetë Berishës për pushtet.

Për më shumë se kaq, njëlloj si në dy zgjedhje rresht, në 2017-ën dhe 2021-in, kur Basha, me pavendosmërinë e tij klasike, kishte krijuar më shumë distancë me Metën se me Ramën, çfarë edhe u bë një nga faktorët kryesorë të dy humbjeve të njëpasnjëshme, Meta është enigma e madhe e mozaikut opozitar. Pa kostumin e presidentit, por me lirinë që jep politika anarkike shqipotare, me një parti të rrudhur në mandate, por me votë popullore të papërkthyer në mandate, me urrejtje të konsoliduar me Ramën, por pa “dashuri” të veçantë me Berishën, mbijetesa e Metës varet nga mundësia që ai do të afronte për t’u bërë pika që ndryshon balancat e pushtetit. I majtë thelbësisht, ai u larguar nga familja e tij natyrale sepse për paradoksin e rradhës, aleancën me solide e ka bërë në shtëpinë e kundërshtarit. E ka thënë disa herë me dëshpërim dhe Gramoz Ruçi është dëshmitari i tij i hershëm, “Me Berishën merresha vesh shumë më mirë se me Ramën!”. Kësaj here, ndryshe nga sa shpresojnë socialistët dhe edhe si efekt anësor i sagës së Doktorit me amerikanët, duket se Presidenti që për punë ditësh do të bëhet ish-President, nuk do të ketë llogari të të papërshtatshme me SHBA-në. Cka, anomalitetin e rikthimit në opozitë, e bën të duket një gjest në mos normal, lëvizje të detyruar. Madje edhe të mirëpritur.

Llogaritë e këtyre tre faktorëve politikë në vend janë thelbësisht të ndryshme. Rama është votuar nga më pak se gjysma e shqiptarëve, por ai ka mundur të marrë shumicën që i jep të drejtën të qeverisë. Në përpjekjen e tij për mandatin e katërt, Rama e di që do të jetë shumë më e vështirë të qeverisë vetëm. Por ai mund të llogarisë një rezervuar votash aty ku të tjerët e presin më pak. Fjala vjen, që në votimin e ligjit të ardhshëm për amnistinë, ai mund të marrë edhe 80- vota pro.

Berisha është i qartë se në çdo hesap, edhe në skenarin më optimist të mundshëm, nuk mund të krijojë maxhorancë i vetëm. Rruga e tij e kushtëzuar është koalicioni sa më i gjerë i mundshëm, ku LSI është një element thelbësor. Me amerikanët dhe kohën kundër, çdo version tjetër është jorealist dhe ka shanse më të pakta se kapërcimi i ylberit. Edhe pse njëherë e ka bërë tashmë.

Mbas dy fitoreve që korri në këtë vit, njëherë duke mundur Bashën dhe herën tjetër duke mposhtur Ibsenin nga Kukësi, Berisha ka përballë betejën e tij të jetës. Jo me Edi Ramën e të tjerë, por me kundërshtarin e tij më të egër, me vetveten dhe egoizmin e tij proverbial. Vetëm duke mundur Berishën, Saliu ka gjasa t’i afrohet mundësisë së shndërrimit të opozitës në një alternativë qeverisëse. Pra, duke mposhtur sedrën vetjake dhe duke afruar një formulë të re bashkimi të opozitës, me atë vetë jo në krye të saj, por në sfond të së tërës.

Meta ka qenë gjithmonë pjesa e mesme e sanduiçit të pushtetit të dy partive të mëdha. Socialistët ja kishin dikur nevojën, por nuk i falnin dot dy herët që ai i nxorri dhe i mbajti në opozitë, në 2005 dhe 2009. Demokratët edhe pse i solli në pushtet, pavarësisht se ishin minorancë, e konsideronin të huaj në shtëpinë e tyre edhe pse ju mbante shtëpinë në këmbë.

Të gjithë këto faktorë që kanë bërë historinë politike të pothuaj 20 vjetëve të fundit, do të jenë zërat që do të thërrasin nën armë opozitën e protestës së të enjtes dhe shpjegimi pse po ndodh dhe farë do të ndodhë në protestë. Pritshmëritë janë shumë më të larta se ajo që do të ngjasë realisht në bulevard.

Përtej bulevardit, nga viti në vit, është duke u krijuar një tjetër lloj opozite me vetë politikën e të gjithë spektrit, nga e majta në të djathtë. Ajo lloj opozite që nuk pranon Ramën, por njëkohësisht refuzon Berishën e Metën. Eshtë një shumicë që kthen rrugën kur i del përpara kutia e votimit me bindjen se sa më të ndryshëm janë njerëzit që ju afrohen për të zgjedhur, aq më shumë ata janë e njëjta gjë. Dhe që kanë bindje se sido që të votojnë, “Vota e tyre individuale nuk mund të ndryshojë asgjë në një vend që ka marrë rrokopujën!”.

Në protestë do të mungojë ish-kryetari Basha. Dimri, pranvera dhe vjeshta e 2019-ës kur ai në krye të demokratëve protestues i lajmëronte ata çdo fillimjave se në fundjavë Rama do të ikte nga zyra, tashmë janë larg. Ai, por dhe pasardhësi i tij, kryetar i grupit parlamentar pa parti, janë shënjeshtra kryesore e protestës, e thirrur nga një parti, që për paradoksin e rradhës, del në protestë me një kryetar që paralajmëron se “paraardhësit” e tij edhe mund të rrihen në boulevard nga protestuesit. Qoftë dhe kaq do të mjaftonte për të vërtetuar aksiomën dramatike: Politika është një lojë që Basha do ta humbasë gjithmonë në fund.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!