Politika e Kosovës kundër mini-Shengenit, Jakup Krasniqi dhe ish-deputeti Bujar Dugolli flasin per Abc News

schedule16:11 - 23 Dhjetor, 2019

schedule 16:11 - 23 Dhjetor, 2019

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi deklaron për ABC NEWS se, mini-shengeni nuk duhet të ishte zhvilluar vetëm me disa shtete të Ballkanit Perëndimor. Ai thotë se Beogradi nuk do të ndërtojë marrëdhënie të mira me popullin shqiptar. I të njëjtit qëndrim është dhe ish-deputeti Bujar Dugolli. Po ashtu, politikanët e Kosovës i përgjigjen kryeministrit Rama per deklaraten e tij se Kosova është futur në një rrugë qorre.

Minis-shengeni i zhvilluar në fundjavë në Shqipëri shikohet me shumë skepticëzm dhe mendim kundër nga politika e Kosovës. Për “ABC NEWS” ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi thotë se një samit të tillë as nuk duhet të ndodhte.

“Kjo përpjekja për të krijuar mini-Shengenin nuk do duhet të bëhej me mungesën e asnjë shteti të Ballkanit Perëndimor, pra as Koosvës. Kosova është shtet, deshën apo nuk deshën krerët e Beogradit. Unë nuk e shoh atë frymë dhe pengesa për të pasur një frymë të bashkëpunimeve  dhe mirëkuptimit ndryshe në Ballkan është në Beograd dhe ata nuk janë të gatshëm të krijojnë marrëdhënie të reja mes asnjë vendi në Balkan në mënyrë të veçantë ata nuk janë të gatshëm të krijojnë marrëdhënie të mira me shqiptarët”, shprehet Krasniqi.

Ndërsa ish-deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës të Ramusht Haradinajt, Bujar Dugolli thotë se një takim i tillë nuk mund të ndodh pa një diskutim mes qeverisë shqiptare dhe asaj të Kosovës.

“Unë mendoj se nuk ka qenë e nevojshme të ngutet në takime të tilla kur Kosova është ende në ndërtim të institucioneve të dala nga zgjedhjet që ndodhën dhe pasi të ndërtohen këto institucione qeveria shqiptare duhet të diskutojë në aspektin bilateral me qeverinë e Kosovës dhe ta njoftojë detajisht  lidhur me këtë ide”, tha Dugolli.

Në pamje të parë duket se se Shqipëria ka një marrëdhnie të mirë me Serbinë, nëse mbahen parashysh marrëdhëniet mes kryeministrit Rama dhe presidentrit Vucic. Por për zotin Krasniqi, Beogradi nuk është i gatshëm të ndryshojë marrëdhnie.

“Unë nuk besoj që aq lehtë mund të krijohet marrëdhënie mes Ramës dhe Vuçiçit”, tha Kraqniqi.

Më e rënda për ish-kryetarin e Kuvendit është gjuha e përdorur nga politika shqiptare dhe të Kosovës.

“Ajo që duhet të na shqetësojë fillimisht është gjuha e komunikimit edhe publike mes drejtuesve të shtetit të Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës. Aktorët politikë  duhet të kenë një komunikim më normal dhe të krijojnë një treg të përbashkët kombëtar në të gjitha fushat”, shprehet Krasniqi.

Ndërsa deputeti Dugolli ka një kërkesë të drejpërdrejtë për Ramën.

“Në rast se është një axhendë ruse duhet të kihet kujdes dhe unë mendoj që kryeministri i Shqipërisë duhet të jetë më sqarues rreth këtyre ideve sepse ne konsiderojmë që duke mbart akuza mes liderëve të Kosovës dhe Shqipërisë nuk i duhen popullit shqiptar andej dhe këndej.”, thotë Dugolli.

Për Edi Ramën, Kosova ka hyrë në një rrugë qorre. Ndyshe nga ai mendojnë politikanët e Kosovës.

“Unë nuk mendoj se Kosova ka hyrë në një rrugë qorre. Kosova e ka politikën e vet, nuk ka politika agresive. Politika e Kosovës është mbrojtëse”, thekson Krasniqi.

“Jo nuk besoj që po shkon drejt një rruge qorre. Ndoshta vetë kryeministri Rama po shkon në një rrugë qorre sepse nuk po e sqaron pozicioni. Dhe shumë marrëveshje nuk zbatohen si duhet”, u shpreh Dugolli./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!