Policia rrugore bën kërdinë në Tiranë, 21 leje drejtimi të pezulluara vetëm për 24 orë

schedule12:03 - 29 Qershor, 2022

schedule 12:03 - 29 Qershor, 2022

Polica rrugore ka shtuar së fundmi kontrollet në drejtim të evidentimit të shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor.

Për rrjedhojë në 24 orët e fundit policia rrugore e Tiranës ka pezulluar 21 leje drejtimi për periudha nga 1 deri në 18 muaj, raste të përsëritura, për qarkullim me shpejtësi më shumë se 20 km/h në zonat urbane dhe me shumë se 30 km/h jashtë zonave urbane.

Janë vendosur 146 masa administrative për tejkalim të shpejtësisë jo më shumë se 10 km/h, të cilat variojnë nga 1.000 deri në 3.000 lekë të rinj.

Gjithashtu, 122 masa administrative janë vendosur për tejkalim të shpejtësisë më shumë se 10 km/h dhe jo më shumë se 30 km/h, të cilat variojnë nga 2.000 deri në 4.000 lekë të rinj;

Po si rezultat i përdorimit të një prej makinave inteligjente nga Policia Rrugore e Tiranës, pjesë e flotës së automjeteve që iu shtua së fundi Policisë Rrugore, janë konstatuar dhe ndëshkuar 34 drejtues mjetesh që përdorin celularin gjatë drejtimit të mejtit, 37 për mospërdorim të rripit të sigurimit dhe 29 për të trija shkeljet së bashku, qarkullim me shpejtësi mbi normën e lejuar, përdorim të aparatit celular gjatë drejtimit të mjetit dhe mosvendosje të rripit të sigurimit.

Gjithashtu, janë bllokuar 21 automjete të shpallura “Alert”, për qarkullim me shpejtësi tej normave të lejuara, të skanuara nga makina inteligjente, gjatë muajit qershor.

Policia Rrugore e Tiranës apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, pasi të gjitha akset monitorohen me dronë edukues, makina inteligjente, radarë automatikë, kamera e aparate fotografike./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!