Policia në Kosovë konfiskon 272 pajisje për prodhim të kriptovalutave

schedule10:42 - 8 Janar, 2022

schedule 10:42 - 8 Janar, 2022

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka njoftuar se Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion për konfiskimin e pajisjeve për mihjen e kriptovalutave në fshatin Trebice të Leposaviqit.

“Në këtë aksion në afërsi të fshatit Trebice të komunës së Leposaviqit u konfiskuan 272 nga këto lloj pajisjesh dhe është arrestuar një person. Gjithë aksioni u zhvillua dhe përfundoi pa incidente”, ka shkruar ministri Sveçla në Facebook.

Ministri Sveçla ka thënë se ky aksion ishte organizuar me qëllim të zbulimit dhe konfiskimit të pajisjeve për prodhim të kriptovalutave.

Siç ka thënë ministri Sveçla aksione të tilla do të vazhdojnë deri “në implementimin e plotë të vendimit të Kuvendit dhe Qeverisë së Republikës”.

Së fundmi, Kosova është duke u përballur me krizë energjike, pas rritjes së çmimit të importit të energjisë elektrike. Autoritetet kanë miratuar masa emergjente për energji.

Në kuadër të këtyre masave, Qeveria e Kosovës ka njoftuar të martën, më 4 janar, se institucionet kompetente do të angazhohen që të ndalojnë prodhimin e kriptovalutave, pasi dyshohet se pajisjet me të cilat prodhohen ato, shkaktojnë konsum të lartë të energjisë elektrike.

Aktiviteti për prodhimin e kriptovalutave ishte shtrirë së fundi në pjesën veriore të Kosovës për shkak se në atë pjesë, qytetarët nuk e paguajnë energjinë elektrike.

Sipas institucioneve të Kosovës, rreth 12 milionë euro në vit llogaritet fatura e përbashkët e energjisë së shpenzuar në katër komuna në veri të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq./REL