Policia italiane ka arrestuar tre palestinezë me bazë në Italinë qendrore, të cilët dyshohet po planifikonin sulme në një vend të paspecifikuar. Tre burrat që jetonin në l’Aquila, rreth 120 km në verilindje të Romës, kishin ngritur një qeli të lidhur me Brigadat e Martirëve të Al-Aksa-s.
Brigadat e Martirëve Al-Aksa është një grup i armatosur që është i lidhur me lëvizjen Fatah të presidentit palestinez Mahmud Abbas dhe konsiderohet një grup terrorist nga Izraeli, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.
Policia tha se tre palestinezët akuzohen për komplot kriminal për qëllime terrorizmi ose përmbysje të rendit demokratik, i cili parashikon dënime me burg deri në 15 vjet.
“Të dyshuarit u angazhuan në prozelitizëm dhe propagandë (…) dhe planifikuan sulme, duke përfshirë sulme vetëvrasëse, kundër objektivave civile dhe ushtarake në territorin e huaj,” tha policia.
Në një deklaratë, ministri i Brendshëm Matteo Piantedosi përshëndeti arrestimin e “tre terroristëve të rrezikshëm” dhe tha se Italia ishte gjithmonë në gatishmëri të lartë kundër ekstremizmit dhe radikalizimit./abcnews.al