Policia greke “çmonton” unazën e trafikut të emigrantëve, kalonin në këmbë përmes Shqipërisë

schedule18:23 - 9 Shtator, 2021

schedule 18:23 - 9 Shtator, 2021

Policia greke ka çmontuar rrjetin e trafikut të emigrantëve nga Greqia drejt vendeve të huaja duke kaluar përmes Shqipërisë dhe Italisë. Gjatë operacionit të policisë helene, në pranga janë vënë 15 persona, kryesisht nga Bangladeshi dhe Afganistani, ndërkohë që në kërkim janë edhe 6 persona të tjerë me kombësi të huaj.

Sipas policisë, skema e krijuar u mundësonte emigrantëve të paligjshëm kalimin përmes Greqisë drejt vendeve të tjera europiane duke u siguruar atyre dokumente false kundrejt një pagesë që varionte nga 600 deri në 10 mijë euro.

Anëtarët e grupit përdornin aplikacione në rrjetet sociale për të komunikuar me njëri tjetrin me gjuhë të koduar në mënyrë që të shmangnin zbulimin e skemës. Transporti bëhej përmes tre formave të ndryshme atë ajror, detar dhe tokësor përmes një rruge që kalonte nga Shqipëria në drejt vendeve të tjera europiane.

Konkretisht përmes ajrit ata udhëtonin nga aeroporti i Athinës duke dorëzuar dokumentet e falsifikuara. Çmimi i udhëtimit me avion varionte nga 4500 deri në 10 mijë euro.

Në rrugë detare, anëtarët e grupit, zgjidhnin udhëtimin me traget nga Greqia në Itali, duke u siguruar që personat që transportoheshin ilegalisht futeshin në kontejnerë ose kamionë, kundrejt pagesës nga 600 deri në 3000 euro.

Ndërsa në rrugë tokësore, përmes Shqipërisë, transporti bëhet me makina, taksi ose autobus, ndërsa pikat kufitare kaloheshin në këmbë me qëllim shmangien e kontrolleve. Ata u kërkon të huajve të dërgonin fotografi në momentin kur arrinin në destinacion në mënyrë që të “reklamonin” punën e tyre për të gjetur “udhëtarët” e radhës.

Gjatë kontrolleve të ushtruara nga policia në 12 shtëpi dhe 6 dyqane janë konfiskuar 1613 pasaporta dhe ID të personave që transportoheshin ilegalisht, një shumë parash prej 13 605 eurosh, 42 telefona celularë, makina etj.

Policia bastisi edhe dy apartamente në qendër të Athinës ku ishin vendosur dy laboratorë, me pajisjet e nevojshme për përgatitjen e dokumenteve të falsifikuara. m.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!