Prokuroria e Drezdenit konfirmoi bastisjet, duke deklaruar se: “Po hetojmë një anëtar të Bundestagut (parlamentit gjerman) për ryshfet si përfaqësues i zgjedhur në Parlamentin Evropian dhe për pastrim parash në lidhje me pagesa nga Kina.”
Pas bastisjes policore në banesën e tij, Krah reagoi duke thënë: “Akuzat janë absurde, të fabrikuara dhe tërësisht të motivuara politikisht. Bastisja e zyrës sime është një përpjekje për frikësim, ndaj së cilës do të mbrohem.”
Ky hetim është një tjetër goditje ligjore për AfD-në, partia e ekstremit të djathtë që është bërë forca e dytë politike më e madhe në parlament, pasi fitoi një rekord prej 21% të votave në zgjedhjet e muajit shkurt. Kjo forcë politike ka qenë vazhdimisht në qendër të akuzave për nxitje të ekstremizmit politik.
Në prill të vitit të kaluar, asistenti parlamentar i Krah-ut në Parlamentin Evropian, Jian Guo, u arrestua nga policia gjermane pasi shërbimet e inteligjencës pretendojnë se kishin prova që ai spiunonte për Pekinin. Guo, i cili i mohon akuzat, është aktualisht në gjyq në Drezden.
Krah i tha Financial Times vitin e kaluar se arrestimi i Guo ishte pjesë e një “fushate nga autoritetet për të diskredituar AfD-në para zgjedhjeve evropiane”, që u mbajtën në qershor 2024.
“Në këto kohë, çdo kinez dyshohet si spiun,” shtoi Krah. “Është e gjitha paranojë.”
48-vjeçari Maximilian Krah është i njohur për polemikat e shumta. Karriera e tij politike tregon se si AfD ka mbështetur politikanë gjithnjë e më radikalë që nga themelimi i saj në vitin 2013 nga një grup akademikësh euroskeptikë.
Vitin e kaluar, Krah minimizoi përgjegjësinë e oficerëve të SS-së në Holokaust, duke i thënë Financial Times se “jo të gjithë ishin kriminelë”. Këto komente sollën përjashtimin e AfD-së nga një grupim i ekstremit të djathtë në Parlamentin Evropian, i udhëhequr nga partia franceze Tubimi Kombëtar.
Bashkëkryetarët e AfD-së, Alice Weidel dhe Tino Chrupalla, reaguan me kujdes të enjten, duke thënë se heqja e imunitetit dhe bastisjet janë çështje serioze. Ata shtuan: “Si grup parlamentar i AfD-së, presim që hetimi të përfundojë sa më shpejt dhe rezultatet të bëhen publike.”
Në maj, shërbimet e inteligjencës gjermane e klasifikuan zyrtarisht AfD-në si një parti ekstremiste, duke i dhënë autoriteteve kompetenca për mbikëqyrje më të thelluar, përfshirë përgjimet telefonike. Ky klasifikim ka nxitur gjithashtu debat politik dhe ligjor për mundësinë e ndalimit të partisë, një mundësi e lejuar nga kushtetuta gjermane në kushte të caktuara.
AfD është gjithashtu nën dyshime për pjesëmarrje në fushata ndikimi të Rusisë. Vitin e kaluar, një tjetër eurodeputet i saj, Petr Bystron, ishte objekt hetimi nga prokuroria e Mynihut, për dyshime se ishte paguar nga një oligark rus për të bërë deklarata pro-Kremlinit. Ai i ka mohuar akuzat.