Shqipëri-Francë do të jetë një ndeshje e veçantë. Veçse pritet një numër i madh tifozësh, rreth 22 mijë, më i larti ndonjëherë në vendin tonë që kanë ndjekur kombëtaren në stadium, në “Arenën Kombëtare” pritet edhe një numër i madh personalitetesh.
Sigurisht kur vjen puna për inaugurime politika nuk mungon në ambientet sportive. Kryeministri Edi Rama pritet të jetë i pranishëm dhe sigurisht që nuk mund të mungojë as presidenti Ilir Meta, i cili kohët e fundit i frekuenton shpesh stadiumet. Sidomos kur luan kombëtarja. Normlaisht do të ketë shumë personazhe të poltikës, të gjithë të ftuar dhe të vendosur në tribunën kryesore.
Aleksander Ceferin, presidenti i UEFA-s, do të jetë gjithashtu i pranishëm në stadium. Qeveria e futbollit europian është një nga palët që ka dhënë pjesën e saj në investimin e bërë në “Arenën Kombëtare” dhe do të jetë vetë i pranishëm për të parë produktin.
Duke marrë në konsideratë gjithçka pritet në Shqipëri-Francë, edhe forcat e sigurisë do të jenë të shumta. Sipas gazetës “Panorama Sport”, pritet që të angazhohen në ruajtjen e rendit dhe të sigurisë rreth 1650 persona. Ata do të jenë përgjegjës edhe për kontrollin e tifozëve, krijimin e një perimetri rrethues për arsye sigurie dhe gjithçka lidhet me mbarëvajtjen e ndeshjes. Normalisht pritet të jetë edhe një numër i lartë stjuartësh, me shumë mundësi më i larti i parë në ndeshjet e luajtura në Shqipëri. /abcnews.al