Një ngjarje e rëndë tronditi të enjten mbarë Francën, pasi një zyrtar policie sulmoi dhe vrau me thikë 4 kolegë. Ngjarja ndodhi në Paris, një ditë pasi forcat e policisë protestuan kundër dhunës në rritje ndaj efektivëve të rendit.
Një funksionar policie në Francë ka sulmuar dhe vrarë me armë të ftohtë 4 kolegë.
Ngjarja ka ndodhur në selinë e Drejtorisë së Policisë së Parisit, ku agresori është ndalur nga një agjent i pranishëm që e ka qëlluar atë për vdekje me pistoletë.
Sulmi erdhi një ditë pasi policia franceze mbajti një grevë në mbarë vendin në shenjë proteste ndaj rritjes së dhunës ndaj efektivëve të forcave të rendit.
Autoritetet franceze nuk kanë dhënë një variant zyrtar mbi motivet e veprimit të funksionarit, por burime nga sindikata e policisë kanë sugjeruar se ai mund të ketë qenë i përfshirë në një përplasje me kolegët e tij.
Rreth orës 13 me orën lokale, agresori hyri në ndërtesë dhe më pas direkt në zyrën e tij, ku filloi të sulmonte kolegët me thikë.
Ai dhunoi tre persona brenda dy zyrave të ndryshme dhe dy gra nëpër shkallë, përpara se të qëllohej nga një oficer roje – bëjnë të ditur mediat franceze.
Në tërësi tre burra dhe një grua mbetën të vrarë, të gjithë oficerë ose anëtarë të administratës; ndërsa një person i pestë mbeti i plagosur.
Ndërtesa ku ndodhi ngjarja ndodhet pranë një prej zonave më turistike të Parisit, që përfshin edhe katedralen Notrë Damë.
Presidenti Emanuel Makron, kryeministri Eduard Filip dhe ministri i Brendshëm, Kristof Kastaner vizituan vendin e ngjarjes.
Sipas mediave franceze, autori ishte një specialist elektronike, 45 vjeç, që punonte për policinë e Parisit prej 16 vjetësh.
Më parë ai nuk kishte shmangur shenja agresiviteti dhe konsiderohej një punonjës model./ABC News Albania 24/7