Polici e vrau me dashje Klodian Rashën, pistoleta nuk ishte e tija: Prokuroria i komunikon akuzën Nevaldo Hadërajt

schedule11:05 - 3 Mars, 2021

schedule 11:05 - 3 Mars, 2021

Prokuroria e Tiranës i ka komunikuar akuzën policit Nevaldo Hadëraj 3 muaj pas vrasjes së të riut Klodian Rasha në Tiranë.

Gazetari Ermal Vija bën me dije për abcnews.al se pas verifikimeve të bëra nga prokuroria, tashmë Hadëraj do të akuzohet për vrasje me dashje, e cila e rëndon mjaft gjendjen e tij në raport me ligjin.

Lexo edhe: Kamerat e rrugës tradhtojnë policin: Nevaldo Hajdaraj e vrau Klodian Rashën pasi u përplasën fizikisht

Nga hetimet ka rezultuar se Rasha ishte i paarmatosur në momentin që është qëlluar me armë nga polici Nevaldo Hadëraj, ndryshe nga sa pretendoi ky i fundit.

Ndërkohë, ka rezultuar se arma e gjetur 200 metra nga vendi ku u vra Rasha nuk i përket atij dhe se bëhet fjalë për një pistoletë sportive që qëllon me plumba manovër.

Ekspertiza nuk ka gjetur asnjë gjurmë të Klodian Rashës në atë armë edhe pse polici Hadëraj pretendoi në dëshminë e tij se i riu nxorri armën prandaj edhe e qëlloi.

Prokuroria ka arritur në përfundimin se vrasja e Klodian Rashës ishte me dashje dhe mund të evitohej plotësisht nga polici.

Pas komunikimit të akuzës, pritet që brenda pak ditësh dosja të përfundojë në gjykatë ku edhe do të fillojë procesi gjyqësor me akuzën e re për policin Nevaldo Hadëraj.

Klodian Rasha u vra më datë 8 dhjetor pasi gjendej duke ecur në rrugicën pranë shtëpisë së tij duke shkelur orën policore të vendosur për shkak të pandemisë.

Patrulla që vrau Rashën përbëhej nga dy policë, por ishte Nevaldo Hadëraj që qëlloi me armë duke i shkaktuar vdekjen të riut Klodian Rasha. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!