Polemika të ashpra për dhunën në ndeshjen Partizani-Flamurtari. Zv/kryeministri Braçe i përgjigjet administratorit të vlonjatëve, Sinan Idrizi.
Përplasja nuk ka marrë fund me mbylljen e ndeshjes. Partizani dhe Flamurtari janë përfshirë në një polemikë të ashpër, ku kanë hyrë edhe persona me përgjegjësi të lartë politike.
Në pritje të vendimit të Komisionit të Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit, për dhunën në takimin e “Selman Stërmasit”, shkëmbehen akuza dhe kërkohet drejtësi.
Administratori i Flamurtarit akuzoi për sjellje të fortës nga të kuqtë ndaj përfaqësuesve të klubit të tij, duke deklaruar se “edhe ne dimë ta bëjmë të fortin”, ndërsa thumboi politikanë të lartë që merren me sportin.
Nuk vonoi përgjigja e një tifozi të njohur të Partizanit, si zv/kryeministri Erion Braçe, i cili deklaroi se që kur kishte marrë detyrën nuk kishte shkelur më në stadium, ndërsa gjyqtarin e ndeshjes e akuzoi për paaftësi, dhe jo për njëanshmëri.
Duke u kthyer tek, Idrizi, administratori ndihet i shqetësuar nga ndonjë reagim i mundshëm i tifozëve vlonjatë që në ndeshjen e radhës, duke kërkuar vetëpërmbajtje prej tyre.
Klubi i Partizanit e dënoi dhunën në komunikatën zyrtare për shtyp, por hodhi dyshime nëse personi i sulmuar nga tifozët ishte apo jo pjesë e delegacionit vlonjat. Flamurtari reagoi ndaj kësaj, duke vlerësuar qendrimin e Partizanit ndaj dhunës, por duke kritikuar klubin kryeqytetas, që, sipas tij, e ka vënë theksin tek “personi me aparat fotografik”.
Kjo, shkruajnë vlonjatët, bëhet për të hequr vëmendjen nga ngjarja. Flamurtari i bën thirrje Federatës Shqiptare të Futbollit të marrë masat e duhura, ndryshe, sipas tij, do të krijohet një precedent i rrezikshëm për ngjarje që mund të përsëriten në çdo stadium.
Kodi i Disiplinës parashikon deri humbje të ndeshjes në tavolinë për Partizanin, si klub pritës që ka përgjegjësi për mbarëvajtjen e ndeshjes, si dhe të paktën 4 ndeshje pa tifozë. Nuk dihet një vendim i tillë do të merret pasi rregullorja është anashkaluar edhe më parë./abcnews.al