Nuk mund të fitojë gjithçka, por dominimin e ka.
Pasi triumfoi në Turin e Flandrës, në Shigjetat e Valonës dhe në atë që italianët e quajnë “Strade Bianke”, pra Rrugët e Bardha, Tadej Pogaçar I vuri vulën periudhës së klasikeve të Pranverës në çiklizëm me suksesin në Liezh-Bastonjë-Liezh.
Tri herë fitues I Turit të Francës dhe një herë I Xhiros së Italisë, ai e justifikoi rolin e favoritit në rrugët e Belgjikës.
Ai I përshkoi 252 kilometrat në 6 orë e 9 sekonda, duke lënë një minutë e tre sekonda prapa dy rivalët kryesorë, italianin Çikone dhe irlandezin Hili.
Pogaçar përballoi pa problem ngjitjen e 11 kodrave duke arritur fitoren e tretë në këtë konkurrim.
Shumë të paktë janë çiklistët që kanë fituar më shumë se ai, me në krye legjendën belge, Edi Merks, që e ka bërë pesë herë.
Ndoshta slloveni 26-vjeçar mund ta kalojë idhullin e tij të dikurshëm, diçka që në këtë sport ngjan si sakrilegj.
Me 9 fitore në ato që quhen Pesë Monumentet e klasikeve, Pogaçar është ngjitur në podium, dhe vetëm Merks me 19 e belgu tjetër, De Vlemink me 11 janë përpara tij.
Ai do të provojë të arrijë në 10, kur të marrë pjesë në tetor në Xhiron e Lombardisë, por më parë do të tentojë të fitojë Turin e Francës për herë të katërt dhe ndoshta Xhiron e Italisë për herë të dytë.
Vetëm kështu mund të jetë një legjendë e nivelit të Edi Merksit./abcnews.al

