Mauricio Pochettino është afër rikthimit në stol. Trajneri argjentinas do të vazhdojë të punojë në Premier League dhe mund të jetë trajneri i ri i Newcastle. “Qymyrxhinjtë” do të kenë pronar të ri, projekti i sheikëve nga Arabia Saudite është ambicioz dhe investimet nuk do të mungojnë.
48-vjeçari drejtoi Tottenham për pesë vite e gjysmë, më parë ka qenë trajner i Southampton dhe Newcastle pritet të jetë skuadra e tretë angleze që stërvit. Osvaldo Ardiles beson te realizimi i kësaj “martese”. Ky i fundit ka punuar si trajner te Newcastle dhe nuk ka dyshime për të ardhmen e patriotit të tij në prononcimin e dhënë për Mirror.
“Mauricio ndihet mirë në Angli. Ai është afër Newcastle, kam biseduar me drejtuesit e klubit dhe më kanë thënë që i kanë ofruar një kontratë shumë të mirë. Ai ishte i lidhur me Tottenham, por tani është i lirë të drejtojë ku të dojë. E di që i pëlqen shumë të punojë në Angli dhe Newcastle është një mundësi“, deklaron Ardiles. /abcnews.al