Po vinin për të ndjekur ndeshjen Shqipëri-Francë, policia bllokon fishekzjarrë dhe kapsolla në autobusin me kosovarë

schedule15:00 - 17 Nëntor, 2019

schedule 15:00 - 17 Nëntor, 2019

Policia Kufitare e Morinës gjatë kontrolleve të ushtruara për garantimin e rendit dhe sigurisë për shkak të ndeshjes Shqipëri-Francë, ka gjetur në një autobus një çantë shpine me fishekzjarrë dhe kapsolla, të cilat u sekuestruan në cilësinë  e provës materiale.

Autobusi i cili drejtohej nga shoferi me iniciale B. M kishte pasagjerë shtetas nga Kosova, të cilët po udhëtonin drejt Tiranës për të ndjekur ndeshjen që luhet mbrëmjen e sotme.

Njoftimi i plotë:

Në kuadër të masave të marra për garantimin e rendit dhe sigurisë , parandalimin e futjes së  fishekzjarrëve dhe kapsollave në stadium gjatë ndeshjes që do luhet mbrëmjen e sotme në stadiumin “Arena Kombëtare”, në Tiranë, Policia ka shtuar masat e kontrollit duke filluar që në hyrje në pikat e kalimit kufitarë dhe deri në momentin që tifozët do hyjnë në stadium.

Si rezultat i masave të marra, Policia Kufitare e Morinës gjatë kontrollit të ushtruar së bashku me autoritetin doganor në autobusin me drejtues shtetasin kosovar B. M, gjeti një çantë shpine me fishekzjarrë dhe kapsolla, të cilat u sekuestruan në cilësinë  e provës materiale.

Në  këtë autobus udhëtonin në mënyrë të organizuar shtetas kosovarë për të marrë pjesë në ndeshjen e futbollit Shqipëri-Francë.

Kontrollet e rrepta do vijojnë në të gjitha pikat e kalimit kufitar, dhe në çdo ambient ku dyshohet se mund të ketë fishekzjarre dhe kapsolla, si dhe për elementë me precedent kriminal që mund të tentojnë për të hyrë në stadium.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, gjatë takimit të bërë paradite me grupin e punës për menaxhimin e masave të marra për mbarëvajtjen e aktivitetit ndërkombëtar, kërkoi nga të gjitha strukturat e Policisë , angazhim, seriozitet, përkushtim për përmbushjen e detyrave .

Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e tifozërisë dhe sportdashësve që të respektojnë me rigorozitet gjithë udhëzimet e dhëna  nga Policia dhe Federata e Futbollit, dhe të mos tentojnë për të futur në stadium sende të kundërligjshme pasi do përballen me pasojat ligjore./abcnews.al