Antonio Conte po udhëheq Interin drejt titullit kampion. Trofeu i madh mungon në Milanon zikaltër prej vitit 2010. Lukaku me shokë kanë fituar tetë ndeshjet e fundit dhe kryesojnë Serie A me 8 pikë më shumë se Milani, që ka luajtur një ndeshje më shumë.
Tifozët po presin me padurim rikthimin në majën e futbollit italian, ndërsa drejtuesit kanë vendosur të shpërblejnë punën e mirë të trajnerit. Conte ka kontratë deri në verën e vitit 2022 me Interin, teksa përfiton 12 milion euro në sezon.
51-vjeçari leçez është trajneri më i paguar në Serie A dhe i dyti në planet pas Diego Simeones së Atletico Madrid. Kontrata e re do të ketë të përcaktuar rrogën sezonale prej 13.5 milion eurosh në sezon, 1.5 më shumë sesa përfiton aktualisht. /abcnews.al