Dy të rinj janë arrestuar këtë të diel në Sarandë, pasi u kap në flagrancë me një armë zjarri.
Nga operacioni i koduar “Strike 8”, ranë në prangat e policisë dy të rinjtë e moshave 31 dhe 34 vjeç. Arma e zjarrit kallashnikov, 1 krehër me municion luftarak dhe 2 automjetet e këtyre shtetasve janë sekuestruar nga policia.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e mbajtjes pa leje të armëve, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Strike 8”.
Si rezultat i këtij operacioni, u kapën në flagrancë, në vende të ndryshme, në fshatin Berdenesh, dhe u vunë në pranga shtetasit: 34 vjeç, banues në Sarandë, pasi gjatë kontrollit në automjetin tip “Audi”, që ai drejtonte, shërbimet e Policisë gjetën 1 armë zjarri kallashnikov dhe 1 krehër me municion luftarak, të cilat dyshohet se ky shtetas do t’i shiste në qytetin e Sarandës; 31 vjeç, banues në Sarandë, pasi nga veprimet hetimore dyshohet se do të ndihmonte shtetasin tjetër për të shitur armën e zjarrit. Ky shtetas është kapur nga shërbimet e Policisë ndërkohë që drejtonte një automjet tip “Ford”.
Arma e zjarrit kallashnikov, 1 krehër me municion luftarak dhe 2 automjetet e shtetasve të arrestuar, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme“, thuhet në njoftimin e policisë.